Fluturimet/ TIA bën njoftimin e rëndësishëm për pasagjerët
Problem teknik në sistemin e Albcontrol
Anulohen 5 fluturime, 15 të tjera me vonesa
Një problem teknik i përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në operimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë pasdites së sotme.
Sipas njoftimit të TIA, problematika është konstatuar në sistemin e monitorimit të trafikut ajror të Albcontrol, duke bërë që fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare të pezulloheshin për disa minuta si masë sigurie.
Edhe pse problemi është adresuar, situata ka sjellë anulime dhe vonesa të shumta në fluturimet e planifikuara.
Deri tani janë raportuar:
- 5 fluturime të anulluara;
- 1 fluturim i riskeduluar për ditën e nesërme;
- 12 fluturime me vonesa në nisje;
- 3 fluturime me vonesa në mbërritje.
TIA sqaron se problematika është adresuar menjëherë dhe aktualisht po bëhen përpjekje për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
“Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie”, thuhet në njoftimin e aeroportit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bën me dije se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
Për përballimin e situatës, TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion në terminal, me qëllim mbështetjen e operacioneve dhe menaxhimin sa më të shpejtë të pasagjerëve.
“Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet”, thekson TIA.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit të tyre.
TIA thekson se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor, ndërsa vijojnë përpjekjet për normalizimin e plotë të situatës.
Njoftimi:
Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.
Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.
Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




