E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fushë Krujë/  Firma që drejtohej nga të arrestuar do të pastrojë  qytetin
Lajme

Fushë Krujë/ Firma që drejtohej nga të arrestuar do të pastrojë qytetin

Këto ditë, ngjarja në Fushë Krujë mori me të drejtë vëmendjen e duhur. Por kjo, vetëm pas publikimit të videos, e cila shkaktoi një furtunë, deri në shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Megjithatë, në këtë vendin tonë çudia nuk zgjat më shumë se 3 orë dhe jo 3 ditë, pasi lëvizjet e fundit me Ahmetajn po ia heqin vëmendjen ngjarjes së Fushë Krujës. Megjithatë, kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi, një i akuzuar nga opozita si “trafikant droge”, ia ka dhënë tenderin e pastrimit të Fushë Krujës një firme me lidhje me të arrestuar për drogë. Duket se në të gjithë Krujën “komandojnë” të arrestuar, të dyshuar, të akuzuar për krime të rënda, duke filluar që nga kryetari i bashkisë, të firmat që fitojnë tendera, te firmat që shfrytëzojnë pasuri kombëtare etj, etj. Të gjithë kanë krijuar një rreth vicioz, ku paraja dhe pasuria publike, nuk i shpëton nga duart askujt, që nga paratë e taksave të banorëve të zonës, te drurëve sipër Krujës, guri në të gjithë zonën apo edhe për zallin e lumit.

Shpallja e fituesit të tenderit të pastrimit të Njësisë Administrative Fushë Kruje

Në datën 6 korrik 2023, sipas dokumentit të mësipërm, kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi ka firmosur shpalljen e fituesit të tenderit “shërbim i pastrimit dhe largimit të mbetjeve urbane për qytetin Fushë Krujë”. Fondi për këtë tender ka qenë 18.540.275 lekë pa TVSH, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës kuadër ose afati për zbatimin e saj është 12 muaj nga data e nënshkrimit te draft marrëveshjes kuadër. Kriter i përzgjedhjes së fituesit ishte “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”, ndërkohë që në këtë tender mori pjesë vetëm një kompani. Në dokument citohet se firma që ka marrë pjesë është “RINIA 96” sh.p.k , me adresë në Fushë Krujë me administrator znj. Etleva Miri. Kjo firmë ka ofruar 18.404.753 lekë pa TVSH, ose sa 99 % e fondit limit. Duke qenë ofertë e vetme, madje garoi me “veten”, firma është shpallur edhe fituese.

Në foto: Denoncimi i BoldNews.al për lidhjet e kësaj kompanie me dy të arrestuar për drogë

Por, kush janë pronarët e kësaj firme dhe çfarë ka fituar më parë në Bashkinë e Krujës?! Në vitin 2020, BoldNews.al do të investigonte një procedurë të ngjashme të Bashkisë së Krujës; “Bushi i Krujës i jep tenderin e pastrimit kompanisë së dy të arrestuarve për 420 kg drogë!”.

Në atë kohë, redaksia jonë hulumtoi dokumente të shumta, ku rezultoi se Artur Bushi kishte shpallur fitues të tenderit për pastrimin e qytetit të Fushë-Krujës, kompaninë “Rinia 96”, e themeluar nga dy persona të arrestuar në vitin 2017 për mbi 400 kg kanabis dhe që aktualisht menaxhohet nga një familjare e tyre e afërt.

Në dokumente rezultonte se kompania “Rinia 96” ishte krijuar në vitin 1996 nga Shkëlqim Miri dhe kishte si objekt të veprimtarisë së saj “Pastrim e gjelbërim qyteti, shërbime të ndryshme komunale, shërbime varrimi dhe ruajtje varrezash, etj..”. Në vitin 2007, Shkëlqim Miri emëron si administrator të kompanisë Bledar Coraj, kunatin e tij, vëllai i bashkëshortes Etleva Miri (Coraj).

Në 29 Janar të vitit 2017, dy drejtuesit e shoqërisë “Rinia 96”, Shkëlqim Miri dhe Bledar Coraj, u arrestuan, në kuadër të një hetimi kundër trafikut të narkotikëve, të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kronikat e asaj kohe raportohet se Miri dhe Coraj u arrestuan së bashku me 5 persona të tjerë, si pjesë e një grupi që merreshin me shpërndarjen e sasive të mëdha të hashashit nga Kruja në drejtim të Tiranës …/ Boldnews

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.