Futbolli italian në zi, vdes presidenti i ekipit elitar të Seria A
Roko Komiso, presidenti i Fiorentinës, është ndarë nga jeta gjatë natës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë në zi klubin vjollcë dhe gjithë qytetin e Firences.
Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate zyrtare të klubit, ku familja Komiso njofton ndarjen nga jeta të presidentit pas një periudhe të gjatë trajtimi mjekësor. Në njoftim theksohet se pranë tij deri në fund kanë qenë bashkëshortja Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, si edhe motrat Italia dhe Raffaelina.
Humbja e Komisos ka shkaktuar tronditje të madhe te tifozët e Fiorentinës. Edhe pse ishte e ditur se ai kishte probleme shëndetësore, në Firence shpresa mbetej e gjallë për ta parë sërish pranë skuadrës së tij të zemrës.
Roko Komiso lindi më 25 nëntor 1949 në Marina di Gioiosa Ionica, në rajonin e Kalabrisë. Në moshë të vogël u shpërngul me familjen në SHBA, ku ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme në biznes. Pas diplomimit, ai themeloi kompaninë Mediacom, e cila u shndërrua në një nga gjigantët e industrisë së kabllove. Sipas revistës Forbes, pasuria e tij neto vlerësohej rreth 8 miliardë dollarë.
I apasionuar pas futbollit, Komiso bleu fillimisht klubin New York Cosmos në vitin 2017, ndërsa kulmi i angazhimit të tij sportiv erdhi më 6 qershor 2019, kur u bë pronar i Fiorentinës. Gjatë drejtimit të tij, klubi u rikthye në nivele konkurruese, duke iu afruar dy herë fitimit të Ligës së Konferencës dhe duke arritur në finalen e Kupës së Italisë.
Edhe pse nuk arriti të ngrinte një trofe madhor, Komiso investoi fuqishëm për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për klubin. Vetëm verën e kaluar, ai shpenzoi mbi 90 milionë euro në merkato, me synimin për t’i dhuruar tifozëve një sukses të rëndësishëm në vitin jubilar të klubit.
Trashëgimia më e madhe e Komisos mbetet Viola Park, kompleksi modern stërvitor që ai ia dhuroi qytetit të Firences dhe që u inaugurua në verën e vitit 2024. I konsideruar si “shtëpia e Fiorentinës”, Viola Park mban emrin e tij dhe përfaqëson vizionin e presidentit për të ardhmen e klubit dhe zhvillimin e të rinjve.
Kompleksi shtrihet në mbi 20 hektarë dhe është një nga më modernët në Evropë, me 12 fusha stërvitore, ambiente mjekësore, palestra dhe struktura të dedikuara për sektorin e të rinjve dhe ekipin e femrave. Për ndërtimin e tij, Komiso investoi rreth 120 milionë euro.
Me ndarjen nga jeta të Roko Komisos, Fiorentina humbet jo vetëm presidentin, por një figurë që e deshi dhe e ndërtoi klubin me pasion dhe vizion afatgjatë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



