Gazetarit i djegin makinën në mes të natës: Duan të më frikësojnë!
Një incident i rëndë është regjistruar gjatë natës në Bulqizë, ku një automjet është përfshirë nga flakët në rrethana ende të paqarta. Mjeti i përket gazetarit Sami Curri dhe ishte i parkuar pranë pallatit ku ai banon.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është konstatuar rreth orës 02:45. Banorët e zonës kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Megjithatë, automjeti është dëmtuar rëndë, duke u shkatërruar pothuajse plotësisht.
Vetë gazetari ka rrëfyer momentin kur është njoftuar për ngjarjen: “Jam njoftuar rreth orës 3 pa një çerek të mëngjesit që është vënë zjarr te makina, nga një komshi i katit të tretë, makina është e parkuar rreth 30 metra larg nga pallati ku unë banoj me nënën time. Fatmirësisht, pa dëme të tjera te makinat ngjitur”.

Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende, por një nga pistat kryesore që po hetohet është ajo e zjarrvënies së qëllimshme. Curri shpreh bindjen e tij se ngjarja lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin profesional:
“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj, por së pari iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi dhe një nga çmimet jo ishte”.
Gazetari, i cili ka rreth një dekadë eksperiencë në profesion dhe mbulon kryesisht çështje që lidhen me prokurimet publike, pushtetin vendor dhe sistemin e drejtësisë në qarkun Dibër, thekson se nuk do të tërhiqet:
“Për mua është absolutisht e qëllimshme dhe me qëllimin kryesor për të më përcjellë mesazhin që kjo ishte e para dhe mund të vazhdojë më tej. Kjo gjë nuk më ndal dot”.
Ai shton se nuk ka një person konkret ndaj të cilit të drejtojë dyshimet, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia ka kryer veprimet e para në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



