E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Gjeli i Peqinit’ i rrëfen popullit se sa i merakosur është ‘Lideri Global’
Lajme

‘Gjeli i Peqinit’ i rrëfen popullit se sa i merakosur është ‘Lideri Global’

Dash Sula: Rama më shkruan edhe në 12 apo 1 të natës

Kryeinspektori i Shtetit, Dashnor Sula, ka dhënë detaje mbi kontrollet që po zhvillohen në disa sektorë, duke u ndalur veçanërisht te siguria ushqimore, tregu i karburanteve dhe problematikat që lidhen me punën e inspektorëve.

Gjatë një interviste në studion e “Shqipëria Live”, Sula foli edhe për rastet e konstatuara me produkte të importuara, duke përmendur një skemë që, sipas tij, lidhej me lëvizjen e mishit nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës dhe më pas në Shqipëri.

Sipas kryeinspektorit, mishi i importuar nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri i nënshtrohet një takse prej 15%, ndërsa në Kosovë kjo taksë ka qenë 0%. Për këtë arsye, ai tha se janë konstatuar raste ku mishi dërgohej fillimisht drejt Kosovës dhe më pas rikthehej në Shqipëri, duke u tregtuar si produkt me origjinë nga Kosova.

“Mishi që vjen nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri e ka taksën 15%, ndërsa Kosova e ka pasur 0. Shkonte në drejtim të Kosovës dhe kthehej si mish nga Kosova, ndërkohë që shitej në tregun shqiptar”, deklaroi Sula.

Pas këtyre rasteve, sipas tij, janë intensifikuar kontrollet në pikat doganore. Kryeinspektori tha gjithashtu se nga sistemi janë larguar disa inspektorë, për të cilët është konstatuar se kishin bashkëpunime apo marrëdhënie të papërshtatshme me subjekte të caktuara.

Sula bëri të ditur se më 3 shtator është ndaluar edhe një ngarkesë me mish të ardhur nga Brazili, për shkak të nivelit të riskut që paraqiste.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistës ishte ajo e misrit me aflatoksinë. Sula deklaroi se pas rasteve të evidentuara në pikën doganore të Hanit të Hotit janë larguar nga detyra nëntë inspektorë.

Sula: Karburantet do të kontrollohen sipas riskut

Kryeinspektori i Shtetit u ndal edhe te kontrollet në pikat e karburantit, duke sqaruar se objektivi i strukturave të inspektimit nuk është penalizimi i bizneseve për çdo shkelje të vogël.

Sipas tij, ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme dhe e ashpër kur shkelet interesi publik apo rrezikohet konsumatori.

“Menjëherë reagohet: bllokimi i pikës së karburantit, marrja e mostrave, pezullimi i aktivitetit, deri në heqjen e licencës”, tha Sula.

Ai pranoi se një nga problemet kryesore mbetet integriteti i trupës së inspektimit. Sula tha se ekzistojnë raste kur inspektorë të caktuar favorizojnë subjekte të veçanta, duke e cilësuar këtë një problem që duhet adresuar përmes reformimit të mënyrës së funksionimit të sistemit.

Sipas tij, deri në mars të vitit 2027 synohet dixhitalizimi i plotë i sistemit të inspektimit. Në këtë model, subjektet nuk do të përzgjidhen në mënyrë subjektive për kontrolle, por do të identifikohen në bazë të nivelit të riskut.

“Me Ramën kam pasur zero ndërhyrje për të favorizuar subjekte”

Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhej me marrëdhënien e Dashnor Sulës me kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën se si funksionon komunikimi mes tyre.

Sula deklaroi se gjatë gjashtë muajve të parë në detyrën e kryeinspektorit nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga Rama për të favorizuar një subjekt të caktuar.

“6 muaj në detyrë e kam pasur 0 ndërhyrjen nga Kryeministri i Shqipërisë për të favorizuar ndonjë subjekt, 0”, u shpreh ai.

Sipas Sulës, ruajtja e pavarësisë së strukturave të inspektimit është thelbësore për funksionimin e sistemit. Ai argumentoi se ndërhyrjet në nivele të ndryshme të hierarkisë do të dëmtonin të gjithë mekanizmin e kontrollit.

“Dihet si funksionojnë gjërat në Shqipëri, presione etj. Para 1 jave kemi pasur një takim me Kryeministrin e Shqipërisë dhe ai ka qenë konkret”, tha Sula.

Ai shtoi se të njëjtin standard ia ka kërkuar edhe strukturave rajonale të inspektimit.

“Ky është standardi që duhet të vendoset, se në momentin që fillon ndërhyn Kryeministri te Inspektori i Përgjithshëm, Inspektori i Përgjithshëm ndërhyn te kryeinspektori qendror, kryeinspektori qendror te kryeinspektorët rajonalë, kryeinspektorët rajonalë tek inspektorët, u prish sistemi, u shkatërrua”, deklaroi ai.

I pyetur nga gazetarja Sidorela Gjoni nëse më parë kishte menduar se Rama kontrollonte gjithçka, Sula u shpreh se nuk mund ta thoshte një gjë të tillë, pasi nuk kishte dijeni për këtë.

Ai tregoi se një nga arsyet që e kishte shtyrë të pranonte detyrën e kryeinspektorit ishte pikërisht mundësia për të punuar jashtë logjikës së politikës dhe në përputhje me ligjin.

“Ka qenë ndër arsyet pse unë pranova sfidën që më drejtoi Kryeministri i Shqipërisë, që lashë kostumin e politikanit dhe vesha kostumin e nëpunësit të shtetit”, tha Sula.

“Rama më shkruan edhe në 12 të natës për problemet e qytetarëve”

Sula tha se komunikimi me kryeministrin është thuajse i përditshëm dhe se Rama i përcjell shpesh problematika të raportuara nga qytetarët.

Sipas tij, në raste të tilla reagimi vjen brenda një kohe të shkurtër dhe kërkohet informacion për mënyrën se si është zgjidhur problemi.

“Kam komunikim thuajse të përditshëm dhe nuk është se jam nga ata që të bëj me dije mesazhet e Kryeministrit, por mbështetjen që më ka dhënë”, u shpreh ai.

Kryeinspektori shtoi se Rama, në raste të caktuara, i përcjell shqetësimet e qytetarëve edhe gjatë orëve të vona të natës.

“E beson që nuk është turp me ta thënë që më është bërë telefoni duke e mbajtur te veshi. Ai në 12 të natës, 1 të natës, të shkruan për problemet që i çojnë qytetarët dhe unë e vlerësoj maksimalisht”, tha Sula.

Ai e konsideroi këtë mënyrë komunikimi si një element pozitiv, duke theksuar se edhe strukturat që ai drejton duhet të reagojnë shpejt ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

“Edhe unë reagimin ndaj qytetarëve e kam të menjëhershëm dhe i japim një zgjidhje çdo problematike që ka qytetari. Pra, është shumë e rëndësishme transparenca”, deklaroi ai.

Nga politika te administrata: “Kam vendosur 2 tulla”

Gjatë intervistës, Dashnor Sula u pyet edhe nëse ka nostalgji për periudhën e tij si politikan dhe deputet.

Sula tha se ka kaluar rreth 20 vite në politikë, nga viti 2005 deri në vitin 2025, por nuk pretendon se ka bërë ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm gjatë karrierës së tij politike.

Megjithatë, ai tha se vlerëson faktin që ka ruajtur një profil të pastër dhe integritetin personal.

“Tani, 20 vite në politikë, isha 2005-2025 dhe nuk pretendoj që unë kam bërë ‘uau’ në politikë, por mendoj që kam vendosur 2 tulla, duke filluar nga personaliteti im, integriteti im”, u shpreh ai.

Sula deklaroi se gjatë dy dekadave në politikë nuk është përfolur për afera korruptive dhe e vendosi këtë si një prej standardeve që, sipas tij, duhet të kërkohen edhe nga zyrtarët e tjerë.

“Unë jam nga politikanët që nuk është përfolur 20 vite për afera korruptive, po 0”, tha ai.

Në fund, kryeinspektori deklaroi se ka vendosur një standard të qartë edhe për njerëzit e tij të afërt, duke thënë se çdo dyshim serioz për abuzim do ta detyronte të largohej nga detyra.

“Nëse një i afërm i imi, nëse një person i imi, kushdo qoftë, abuzon, jo të ma provojë, i kam thënë Kryeministrit, por të dyshohet ndaj meje apo bashkëpunëtorëve të mi të afërt, jo iki, por hedh çelësat e largohem”, deklaroi Sula.

Sipas tij, vendosja e standardeve të tilla është e domosdoshme për të rikthyer dhe forcuar besimin e qytetarëve te institucionet.

“Ky është standardi që duhet të vendosim, ndryshe ne nuk rrisim besimin te qytetarët”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.