‘Gjeli i Peqinit’ nuk di të ndalojë së kënduari për pushtetin
Dashnor Sula vijon me lavdet për Edi Ramën
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka dhënë intervistën e tij të parë pas emërimit në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, duke sqaruar arsyet që e shtynë të pranojë ftesën e kryeministrit Edi Rama dhe duke komentuar reagimet e ardhura nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Sula rrëfeu se vendimi për të pranuar detyrën nuk ka qenë i lehtë, por sipas tij, pas largimit nga strukturat politike të PD-së nuk shihte më hapësirë për të kontribuar brenda saj.
Ai theksoi se ftesa e kryeministrit erdhi si një sfidë për të marrë pjesë në ndërtimin e një institucioni të rëndësishëm shtetëror, ndërsa shtoi se tashmë e konsideron veten në rolin e një nëpunësi publik dhe jo më si politikan aktiv.
Sula pranoi se fillimisht kishte dilema për pranimin e detyrës, sidomos për shkak të perceptimit që mund të krijohej nga ish-bashkëpunëtorët e tij politikë. Megjithatë, ai u shpreh se detyra e re duhet parë si shërbim ndaj të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, duke theksuar se “kostumin e politikanit” e ka lënë pas.
Në intervistën për gazetaren Rudina Muça, ish-deputeti demokrat vlerësoi gjithashtu një veçori të kryeministrit Rama, duke thënë se gjatë karrierës politike nuk ka parë që ai të sulmojë familjet e kundërshtarëve politikë, një sjellje që, sipas Sulës, duhet të jetë standard në politikë.
Sa i përket reagimeve të kreut të PD-së pas emërimit të tij, Sula zgjodhi të mos japë komente, duke theksuar se nuk e konsideron të moralshme të vijojë polemikat politike në funksionin e ri institucional.
Në lidhje me sfidat e detyrës së Kryeinspektorit të Përgjithshëm, ai u shpreh se prioritet kryesor do të jetë modernizimi dhe digjitalizimi i sistemit të inspektimeve, me synimin për të krijuar një strukturë më efikase dhe transparente brenda këtij viti.
Gazetarja: Zoti. Sula ju vini nga një karrierë e gjatë politike 20 vite në logon e PD, nga një zë kritikues tashmë do të jeni bashkëpunëtor me mazhorancën. Si e pranuat ftesën e Kryeministrit Edi Rama?
Dashnor Sula: Dhunshëm u përzura dhe nuk kisha asnjë të ardhme që të përfshihesha për të dhënë këtë kontribut. Z.Rama më hodhi dorashkën dhe më paraqiti sfidën për të marrë pjesë në ndërtimin e një institucioni të shtetit shqiptar.
Gazetarja: A patët dilema për të pranuar detyrën e Kryeinspektorit pasi me reformën e re ju do të keni 17 inspektoriate për të menaxhuar. A mendoni se do të quheni tradhtar nga pala tjetër?
Dashnor Sula: Fillimisht e kisha të vështirë. Por më ka thënë z.Rama se qytetarët shqiptarë nuk janë vetëm socialistët, qytetarët shqiptarë janë edhe ata me bindje të tjera e demokratike. Dhe kostumin e politikanit unë e kam lënë në shtëpi dhe kam veshur kostumin e një nënpunësi të shtetit.
Gazetarja: Si ndodhi afrimi me Edi Ramën, pasi ju keni qenë kritikues ndaj njëri-tjetrit për një kohë të gjatë në Parlament?
Dashnor Sula: Unë kam konstatuar një veçori dhe atë e ka Edi Rama dhe rrallë një politikan tjetër në Shqipëri. Nëse do të gjeni një moment të vetëm që z.Rama është një person që i hyn në familje të politikanit tjetër. Nuk ka. Këtë cilësi e kam pas dhe unë në politikë.
Gazetarja: A mendoni që e tepruat kur thatë që e vlerësoni vizionin e Ramës?
Dashnor Sula: Nuk mund të mohohet që Edi Rama ka sfidë të fusë Shqipërinë në BE.
Gazetarja: Po reagimin e Berishës si e pritët ?
Dashnor Sula: Nuk do ja lejoja vetes dhe nuk do të ishte e moralshme që të vazhdoj të bëj komente politike.
Gazetraja: Tashmë ju keni marrë detyrën e Kryeinpektorit, cilat janë sfidat që ju janë caktuar?
Dashnor Sula: Të shkëputemi nga modeli që ka qenë përgjatë këtyre 35 viteve dhe shpresoj se deri në fund të vitit të kemi një sistem të digjitalizuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



