E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjendet i vrarë një shtetas francez në Ksamil
Lajme

Gjendet i vrarë një shtetas francez në Ksamil

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Ksamil, ku një turist francez rreth 20 vjeç është gjetur pa shenja jete në zonën e shezlongëve, pranë një lokali.

Viktima është identifikuar si Miguel Mendes. Sipas të dhënave paraprake të policisë, i riu dyshohet se është goditur me një mjet prerës, gjatë një konflikti që paraprakisht dyshohet se ka nisur për motive të dobëta.

Për ngjarjen dyshohet si autor 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has. Sipas policisë, pas konfliktit ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht po kërkohet nga shërbimet e policisë.

Ngjarja është konstatuar rreth orës 05:15, kur 20-vjeçari francez është gjetur i pajetë në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në Ksamil. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ndërsa po kryhen veprimet për përcaktimin e saktë të rrethanave të vrasjes.

Policia ka vijuar kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e 29-vjeçarit të dyshuar. Ndërkohë, hetuesit, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

I dyshuari, i përmendur më herët në një çështje penale në Angli

Emri i Sokrat Vatës është përmendur edhe më herët në një çështje penale në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet britanike, në vitin 2023 ai ishte shpallur fajtor për disa vepra penale, përfshirë posedimin e një arme sulmuese, konkretisht një perforcues metalik grushti, posedimin e kokainës dhe drejtimin e automjetit pa siguracion.

Një tjetër episod i lidhur me të është regjistruar më 13 prill 2024 në Kent. Sipas autoriteteve britanike, Vata po drejtonte një automjet të klonuar kur nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në autostradën A20, në zonën e East Malling.

Pas ndjekjes, automjeti u përmbys dhe Vata u largua nga vendngjarja. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti disa qese me kokainë dhe targa.

Vetëm 17 ditë më vonë, më 30 prill 2024, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore, këtë herë në Cambridge. Sipas të dhënave të autoriteteve, 29-vjeçari po drejtonte një Toyota RAV4 gri, e cila ishte raportuar e vjedhur.

Kur policia tentoi ta ndalonte, ai u largua me shpejtësi dhe ndjekja vijoi në disa rrugë të qytetit. Në një moment, Vata ndaloi për të zbritur një pasagjer, përpara se të vazhdonte drejt Clara Rackham Road.

Aty ai braktisi automjetin dhe u largua me vrap, ndërsa dyshohet se hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Policia e lokalizoi më vonë të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u zbuluan edhe targa. Gjithashtu, Vata rezultoi pozitiv në testin për drejtimin e automjetit nën ndikimin e drogës.

Tashmë, emri i 29-vjeçarit është rikthyer në vëmendje pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku humbi jetën turisti francez Miguel Mendes. Autoritetet shqiptare vijojnë kërkimet për kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetimet po zhvillohen për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit dhe rrethanat që çuan në vrasjen e të riut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.