E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjithçka nisi nga TikTok-u, zbardhen detaje nga sherri mes i miturve në Tiranë
Lajme

Gjithçka nisi nga TikTok-u, zbardhen detaje nga sherri mes i miturve në Tiranë

“Më ngacmuan motrën”

Një konflikt i mundshëm mes disa grupeve të miturish në Tiranë është parandaluar në kohë nga Policia, pasi dhjetëra të rinj ishin mbledhur me qëllim për t’u përleshur me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit.

Sipas burimeve për mediat, konflikti dyshohet se ka nisur në rrjetin social TikTok. Shkak i përplasjes dyshohet se është bërë pretendimi i njërit prej të miturve se motra e tij ishte ngacmuar në rrjetet sociale.

Pas këtij pretendimi, i mituri dyshohet se ka mbledhur një grup të rinjsh, me synimin për t’u përballur me personat që i konsideronte përgjegjës për ngacmimin.

Të rinjtë u organizuan në grupe dhe u nisën drejt Kombinatit

Burimet bëjnë me dije se të miturit ishin organizuar në disa grupe, ku përfshiheshin të rinj nga zona të ndryshme të Tiranës, mes tyre Selita, Yzberishti, 21 Dhjetori dhe ish-Parku.

Para përplasjes së dyshuar, grupet janë grumbulluar në zona të ndryshme. Disa prej të miturve dyshohet se kanë regjistruar edhe video, ku shfaqeshin të veshur me të zeza, të cilat më pas i kanë publikuar në TikTok.

Situata ka marrë një tjetër përmasë kur të rinjtë dyshohet se janë pajisur me mjete të ftohta dhe janë nisur drejt Kombinatit, ku pritej të zhvillohej përballja fizike mes grupeve.

Policia i lokalizoi në rrugën “Llambi Bonata”

Policia kishte marrë informacion në lidhje me konfliktin e mundshëm dhe ndërhyri përpara se përplasja të ndodhte.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar të miturit në rrugën “Llambi Bonata”, ku ata ishin ndarë në disa grupe dhe dyshohej se po përgatiteshin për t’u konfliktuar.

Gjatë kontrollit fizik të tyre, Policia ka gjetur disa mjete të rrezikshme, mes tyre thika, kaçavida dhe maska.

Në total, janë sekuestruar 5 mjete të ftohta dhe mjete të tjera të mprehta, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale.

28 të mitur të moshave 13 deri në 17 vjeç u shoqëruan

Në kuadër të ndërhyrjes së Policisë janë shoqëruar 28 të mitur, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç.

Pas veprimeve të para, të rinjtë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastin vijojnë veprimet procedurale për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë e secilit prej tyre.

Pas shoqërimit, familjarët e të miturve janë njoftuar. Veprimet procedurale janë kryer në praninë e prindërve dhe psikologëve, në përputhje me procedurat për të miturit.

Pas komunikimit me prokurorin, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ndërhyrja e Policisë ka bërë të mundur parandalimin e përplasjes mes grupeve të të miturve, e cila dyshohet se ishte organizuar përmes komunikimeve në rrjetet sociale dhe do të zhvillohej në zonën e Kombinatit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.