GJKKO shpall të pafajshëm ish-shefin e “Rrugores”, Roven Zeka
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen ndaj ish-drejtuesit të policisë rrugore, Roven Zeka. Trupa gjykuese vendosi ta shpallë atë të pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u arrit të provohej përfshirja e tij në veprimtari të paligjshme.
Në të njëjtën çështje, për personat e tjerë të përfshirë, gjykata dha vendime ndëshkuese të diferencuara. Edison Tabaku u dënua me tre vite heqje lirie, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u reduktua në dy vite burg.
Një vendim i ngjashëm u dha edhe për Sokol Navakun, i cili gjithashtu u dënua fillimisht me tre vite burg. Pas uljes së dënimit në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjykata vendosi që kjo masë të konvertohet në shërbim prove.
Ndërkohë, Erges Vrioni u dënua me një vit e gjashtë muaj burg, por pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në një vit. Edhe në këtë rast, gjykata vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove, që do të zgjasë për një periudhë dyvjeçare.
Sa i përket të pandehurit Blendi Bela, ai u shpall fajtor për moskallëzim krimi. Gjykata vendosi një dënim fillestar prej një viti burg, i cili u ul në tetë muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u konvertua në shërbim prove.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



