GJKKO ‘vulos’ fatin e ish-deputetit Jurgis Çyrbja
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë sot vendimin për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, dhe bashkëpandehurit e tij, Altin Hajri e Ahmet Masha. Të tre u gjykuan për një sërë akuzash të rënda që lidhen me tregimin e sekretit shtetëror dhe korrupsionin zgjedhor.
Sipas vendimit, Çyrbja u shpall fajtor për “tregim të sekretit shtetëror” në disa episode, për “përkrahje të autorit të krimit” në katër raste të ndryshme, si dhe për “korrupsion në zgjedhje”. Në bashkim të dënimeve, gjykata caktoi 3 vite burg, të cilat u reduktuan në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në të njëjtin proces, Altin Hajri, i gjykuar në mungesë, u dënua me 3 vite burg për “korrupsion në zgjedhje” dhe “tregim të sekretit shtetëror”, dënim që po ashtu u ul në 2 vite pas aplikimit të procedurës së shkurtuar.
Ndërsa për Ahmet Mashën, GJKKO konstatoi fajësinë për “tregim të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Ai u dënua me 2 vite e 6 muaj burg, të cilat u reduktuan në 1 vit e 8 muaj për shkak të të njëjtës procedurë.
Vendimi i sotëm i GJKKO mbyll një dosje që ka qenë në hetim për muaj me radhë, ku janë përfshirë emra të njohur të politikës dhe lidhje të dyshuara me struktura kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



