Gjykata dënon 3 persona për drogë, mes tyre vëllai i ish-deputetit të PS
Gjykata e Lezhës ka dhënë vendimin për tre persona të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, duke i dënuar me një total prej 17 vjet e 8 muaj burgim. Mes të dënuarve është edhe Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica dhe me anëtarë gjyqtare Irma Cacaj dhe Eglantina Biba, vendosi për secilin të pandehur dënimin e mëposhtëm:
-
Elvis Shpellzaj: 6 vjet e 8 muaj burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
-
Armel Nikdukaj: 6 vjet e 8 muaj burgim për të njëjtat vepra.
-
Armando Ndreca: 4 vjet e 4 muaj burgim për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike, ndërsa u shpall i pafajshëm për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Dënimet për secilin të pandehur u caktuan në bazë të nenit 55 të Kodit Penal për bashkimin e veprave penale dhe zbritjes me 1/3 sipas nenit 406/1 të Kodit Penal. Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit në flagrancë ose nga masa e sigurisë “arrest në burg” dhe pjesa e mbetur e dënimit do të vuhet në burg të sigurisë së zakonshme.
Gjykata vendosi gjithashtu që lënda e narkotikëve të sekuestruar të asgjësohet dhe shpenzimet procedurale të ngarkohen solidarisht të pandehurve.
Ky vendim i Gjykatës vjen pas hetimeve intensive mbi kultivimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Kashnjetit dhe përfshin elemente të rëndësishme lidhur me sigurinë dhe drejtësinë në nivel lokal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



