E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Fierit i shuan dënimin me burg Sokol Hoxhës
Lajme

Gjykata e Fierit i shuan dënimin me burg Sokol Hoxhës

Gjykata e Fierit ka vendosur të konstatojë parashkrimin e dënimit me 25 vite burg ndaj Sokol Hoxhës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos, në mars të vitit 1997. Vendimi vjen vetëm pak muaj pas arrestimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekstradimit në Shqipëri, por nuk nënkupton domosdoshmërisht lirimin e tij nga burgu.

Çështja u shqyrtua nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila në seancën e mëparshme kishte vendosur ta shtynte gjykimin deri më 12 tetor, për të kërkuar një qëndrim nga Gjykata e Lartë lidhur me kërkesën e 51-vjeçarit për konstatimin e parashkrimit të dënimit penal.

Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën, në të njëjtën linjë me qëndrimin e prokurores së çështjes, Malbora Dinaj. Sipas argumentimit të organit të akuzës, afatet ligjore për ekzekutimin e dënimit kishin përfunduar, në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi ka të bëjë me dënimin e dhënë në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ndërsa çështja e qëndrimit të Hoxhës në burg lidhet edhe me një tjetër vendim penal të dhënë jashtë vendit.

Vrasja e dy vëllezërve në Patos, konflikti për një kasetofon makine

Sokol Hoxha u dënua në vitin 2000 me 25 vite burg për vrasjen e Ilirjan dhe Hektor Banajt, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1997, pranë tregut të fruta-perimeve në Patos.

Sipas raportimeve të kohës, dyshohet se konflikti që përfundoi në tragjedi kishte nisur pas një debati për një kasetofon makine. Pas ngjarjes, Hoxha u largua fillimisht drejt Greqisë dhe më pas u vendos në Belgjikë, duke qëndruar jashtë Shqipërisë për vite me radhë.

Ai u arrestua në Shtetet e Bashkuara në muajin maj, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, të zhvilluar përmes bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare, belge dhe amerikane. Më 6 gusht, Hoxha u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Kërkesa për parashkrimin e dënimit u paraqit disa javë pas ekstradimit të tij, duke rikthyer në vëmendje një prej ngjarjeve të rënda kriminale të vitit 1997.

Dënimi me burgim të përjetshëm në Belgjikë

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Fierit për parashkrimin e dënimit shqiptar, Hoxha mund të vijojë të qëndrojë në burg për shkak të një çështjeje tjetër penale në Belgjikë.

Sipas raportimeve mediatike, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit, e cila u vra më 29 gusht 1997 në Bruksel. Hetimet për këtë ngjarje kanë përfshirë dyshime se viktima ishte shfrytëzuar për prostitucion dhe se vrasja kishte ardhur pasi ajo kishte kundërshtuar këtë situatë.

Burime nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier kanë bërë të ditur se vendimi i gjykatës shqiptare nuk do të thotë se Hoxha do të lirohet menjëherë. Ekzekutimi i vendimit belg dhe statusi ligjor i tij në raport me dënimin e dhënë jashtë vendit mbeten elemente të rëndësishme për përcaktimin e vijimit të qëndrimit të tij në burg.

Kështu, ndërsa Gjykata e Fierit ka vendosur për parashkrimin e dënimit për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, çështja e lirisë së Sokol Hoxhës mbetet e lidhur me pasojat juridike të dënimit të dhënë në Belgjikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.