Gjykata e Lartë cakton datën vendimtare për “fatin” e Erion Veliajt
Gjykata e Lartë ka vendosur datën 15 shtator për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Seanca gjyqësore është planifikuar të zhvillohet në orën 09:30.
Trupi gjykues që do të marrë në shqyrtim këtë çështje përbëhet nga gjyqtari Sander Simoni në cilësinë e relatorit, si dhe anëtarët Valbon Çekrezi dhe Genti Shala.
Procesi ka kaluar në disa zhvillime të rëndësishme procedurale, pasi dy gjyqtarë, Sokol Binaj dhe Albana Boksi, kanë paraqitur dorëheqjen nga shqyrtimi i rekursit, për shkak të përfshirjes së tyre në vendimmarrje të mëparshme lidhur me kërkesat e Veliajt. Po ashtu, më herët ishte tërhequr edhe relatori Ilir Panda.
Rikthimi i çështjes për rishqyrtim erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila argumentoi se Gjykata e Lartë duhet të japë një arsyetim më të plotë lidhur me përshtatshmërinë e masës së sigurisë. Konkretisht, Kushtetuesja kërkoi të analizohet nëse ekzistojnë alternativa më të lehta se “arresti në burg”, duke detyruar kështu një rivlerësim të situatës.
Vendimi i 15 shtatorit pritet të jetë kyç për vijimësinë e çështjes, duke përcaktuar jo vetëm fatin procedural të Veliajt, por edhe standardin e arsyetimit për masat e sigurisë në raste të ngjashme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



