E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Lartë merr vendimin: “Arresti në burg”, masa e fundit
Lajme

Gjykata e Lartë merr vendimin: “Arresti në burg”, masa e fundit

Nuk mjafton më kërkesa e prokurorit

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka zbardhur pas rreth dy muajsh vendimin për unifikimin e praktikës gjyqësore mbi masat e sigurisë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si aplikohet masa e “arrestit në burg”.

Vendimi i ri synon të standardizojë qasjen e gjykatave, duke lehtësuar në njëfarë mase praktikën për vendosjen e kësaj mase nga ana e gjykatës, por njëkohësisht duke rritur barrën e argumentimit për organin e akuzës.

Sipas përcaktimeve të reja, gjykatat kanë detyrimin të japin një arsyetim të detajuar dhe konkret përse masat alternative nuk janë të përshtatshme në një rast të caktuar, përpara se të vendosin “arrestin në burg”. Në këtë kuadër, kërkohet një analizë e plotë e rrezikshmërisë së personit, duke marrë në konsideratë personalitetin, rrethanat konkrete dhe sjelljen e tij.

Gjykata e Lartë thekson se “arresti në burg” mbetet masa më e rëndë e sigurimit personal dhe duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit, kur çdo alternativë tjetër rezulton e pamjaftueshme për të garantuar ecurinë e procedimit penal.

Në vendim citohet se:
“Masa e sigurimit personal e ‘arrestit në burg’, konsiderohet, sipas përcaktimit të paragrafit të parë të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, si masa e fundit/extrema/ultima ratio, e cila mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër rezulton e papërshtatshme për të garantuar nevojat e sigurimit të procedimit penal. Këto nevoja sigurimi identifikohen në përcaktimet e pikës së tretë të nenit 228 të KPP, të cilat nuk mund të përmbushen nga asnjë masë tjetër më pak kufizuese.”

Një tjetër element thelbësor i këtij vendimi është detyrimi për të analizuar realisht alternativat ndaj arrestit në burg. Nuk mjafton më një deklarim formal se kjo masë është e përshtatshme, por gjykata duhet të argumentojë në mënyrë të qartë pse masat si arresti në shtëpi, detyrimi për paraqitje apo garancia pasurore nuk janë të mjaftueshme.

Në vijim, vendimi thekson:
“Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte konkrete dhe të pasqyrojë rrezikun real, në përputhje me nenin 228, pika 3 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe parimet e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe standardeve kushtetuese e konventore.”

Ky unifikim i praktikës pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si gjykatat dhe prokurorët do të trajtojnë kërkesat për masa sigurie, duke vendosur një standard më të lartë arsyetimi dhe duke kufizuar përdorimin automatik të “arrestit në burg”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.