E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Tiranës shpall moskopetencë për ’21 Janarin’, dosja i kalon SPAK-ut
Lajme

Gjykata e Tiranës shpall moskopetencë për ’21 Janarin’, dosja i kalon SPAK-ut

Gjykata e Tiranës ka shpallur moskopetencën për dosjen e 21 Janarit dhe ia ka kaluar dosjen SPAK-ut.

Pak ditë më parë SPAK-u regjistroi dosjen, ku u vranë 4 protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 ‘21 janari’ do të hetohet nga SPAK, i cili është i detyruar të regjistrojë procedimin penal dhe të zbardhë përgjegjësitë e Sali Berishës, Lulzim Basha, Ndrea Prendit e të tjerëve për vrasjen e 4 personave të pafajshëm në bulevard. Ky është urdhri i Gjykatës së Lartë, e cila pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që krimi shtetëror i para 13 viteve të mund të shohë zbardhjen e plotë.

Kujtojmë që këtë javë në SPAK u paraqit Rajmonda Nika, gruaja e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit e vrarë në protestën e 21 janarit.

Ajo ishte e shoqëruar nga xhaxhai i të ndjerit, Mark Nika, ku të dy kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me dosjen e 21 janarit.

Rajmonda Nika ishte ajo që fitoi betejën në Strasburg ku Gjykata Ndërkombëtare e konsideroi si vrasje shtetërore dhe u shpreh për mungesën e hetimeve në Shqipëri përgjatë këtyre viteve.

Ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të regjistronte procedimin, pas vendimit së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Prokuroria e Posaçme regjistroi më 16 Korrik procedimin penal për dosjen e 21 janarit, për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Me anë të një njoftimi, SPAK thotë se ka regjistruar procedimin penal për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

SPAK thotë se ka vendosur “Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”

Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.

Po ashtu, prokuroria tha se kishte marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të nëntorit të vitit të kaluar, e cila ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe ka gjetur shtetin shqiptar fajtor për shkelje të së drejtës së jetës dhe asaj të hetimit.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim i kërkon Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNJ gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.