Gjyqtarja e Tiranës Anila Capo (Zere) jep dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë
Gjyqtarja e Tiranës “braktis” vetingun, zbardhet vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit që refuzoi seancën publike
Dy ditë më parë, KPK-ja ka marrë një vendim të veçantë në lidhje me një subjekt të vetingut.

Në momentin kur subjekti, gjyqtare e Gjykatës së Tiranës, Anila Capo (Zere) pritej të vinte në seancën dëgjimore, ajo ka vendosur të dorëhiqet nga sistemi. Ka qenë kjo dorëheqje që e ka detyruar trupën e përzgjedhur gjyqësore të pranojë dhe të vendosë që gjyqtarja e Shkallës së Parë të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë të paktën për 15 vjet dhe për pasojë edhe t’i ndërpritet vetingu.
Me një vendim prej 8 faqesh, KPK-ja ka sjellë të gjithë praktikën e ndjekur për daljen e kësaj gjyqtareje në seancën dëgjimore publike. Vetingu për të kishte nisur prej më shumë se dy vitesh dhe sipas këtij vendimi të KPK-së me datën 30 mars në këtë komision është depozituar vendimi i KLGJsë, duke bërë të njohur largimin e subjektit të vetingut nga sistemi i drejtësisë. Ka qenë ky vendim që ka detyruar trupën gjyqësore të Komisionit të ndërpresë edhe procesin e shqyrtimit të kritereve që duhet të kalojnë të gjithë të nënshtruarit e vetingut.
VENDIMI I KPK-SË
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur dy ditë më parë të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren e Tiranës, Anila Capo (Zere) për shkak të dorëheqjes së saj, si dhe i ka hequr asaj të drejtën për t’u riemëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Në vendimin e arsyetuar të KPK-së konstatohet se nga subjekti i rivlerësimit është kërkuar dorëheqje e parevokueshme nga detyra, kur i është kaluar barra e provës në kriterin e pasurisë.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Capo ka filluar në janar të vitit 2020 dhe në shkurt të vitit 2022, trupa e KPK-së e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon, ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht vetëm për kriterin e pasurisë, si dhe e ka njoftuar subjektin për barrën e provës. Në vendim sqarohet se gjyqtarja Capo ka kërkuar shtyrjen të afatit për paraqitjen e provave dhe përfshirjen në rezultatet e hetimit edhe të dy kritereve të tjera të vlerësimit, atë të kontrollit të figurës dhe profesionalizmit.
KPK-ja shprehet se e ka informuar Capon se diskutimi dhe vendimmarrja për dy kriteret e tjerë kryhet pasi subjekti arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës. Sipas trupës së KPK-së, kur pritej që gjyqtarja Anila Capo të depozitonte prova dhe shpjegime për një pjesë të barrës së provës për të cilat kishte kërkuar kohë shtesë, ajo ka njoftuar se kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga statusi i gjyqtarit dhe funksioni i saj pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke bashkëlidhur edhe kopje të kërkesës.
Në vijim, thuhet në vendimin e KPK-së, Komisioni është njohur me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datës 25 mars 2022, për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Anila Capo, për shkak të dorëheqjes së saj. Pasi është konfirmuar fakti se ndaj këtij vendimi të KLGJ-së subjekti nuk ka paraqitur ankim, është thirrur për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por Capo e ka refuzuar këtë të drejtë.
KRONOLOGJI/PJESË NGA VENDIMI
Subjekti i rivlerësimit Anila Capo (Zere), gjatë periudhës së procesit të hetimit administrativ, ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për shkak të ligjit ky subjekt, i është nënshtruar procesit të rivlerësimit, ex officio. Në bazë të ligjit znj. Anila Capo (Zere), i është nënshtruar procesit të rivlerësimit, duke u shortuar më 16.12.2019, nga trupi gjykues i përbërë nga komisionerët: Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.
Trupi gjykues, me vendimin e datës 13.1.2020, vendosi të fillojë një hetim administrativ të thellë dhe të gjithanshëm.
Ne anë të postës elektronike, datë 13.1.2020, njoftoi subjektin e rivlerësimit. Në mbledhjen e datës 14.2.2022, trupi gjykues, në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, pasi arriti në përfundimin se provat në lidhje me kriterin e pasurisë kanë nivelin e provueshmërisë dhe me vendimin e kësaj date vendosi të mbyllë hetimin administrativ kryesisht për subjektin e rivlerësimit Anila Capo (Zere) vetëm për kriterin e pasurisë, si dhe të njoftojë subjektin se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit. Me anë të postës elektronike në datën 14.2.2022 subjekti i rivlerësimit u njoftua mbi vendimin e trupit gjykues për mbylljen e hetimit administrativ kryesisht dhe kalimin e barrës së provës për kriterin e pasurisë.
Më 21.2.2022, me anë të postës elektronike subjekti i rivlerësimit kërkoi shtyrje të afatit të paraqitjes së provave dhe shpjegimeve për barrën e provës kaluar me rezultatet e hetimit kryesisht të dërguara nga trupi gjykues në datën 14.2.2022.
Në të njëjtin e-mail subjekti i rivlerësimit kërkoi përfshirjen në rezultatet e hetimit edhe të dy kritereve të tjera të vlerësimit: kontrollit të figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Komisioni, me anë të postës elektronike në datën 22.2.2022 njoftoi subjektin se mund t’i dërgonte shpjegimet dhe provat në përgjigje të barrës së provës deri në datën 7.3.2022, për provat që nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte nga autoritetet shtetërore dhe, ndërkohë, për provat dhe shpjegimet që nuk kishte kërkuar shtyrje afati, Komisioni i kërkoi t’i dërgonte brenda datës 28.2.2022.
Ndërkohë që, Komisioni ishte në pritje të provave dhe shpjegimeve të barrës së provës për të cilat subjekti kërkoi kohë shtesë dhe shtyu afatin deri në datën 7.3.2022, me anë të postës elektronike, në datën 4.3.2022 subjekti i rivlerësimit njoftoi se ka paraqitur kërkesë për dorëheqje të parevokueshme nga statusi i gjyqtarit dhe funksioni i gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke bashkëlidhur edhe kopje të kërkesës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



