E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gogaj dhe 4 oficerë të BKH-së nisin hetimet ndaj Malajt dhe Thesarit
Lajme

Gogaj dhe 4 oficerë të BKH-së nisin hetimet ndaj Malajt dhe Thesarit

Vetëm 24 orë pas depozitimit të kallëzimit penal ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit Gentian Keri dhe drejtuesve të Thesarit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapat e parë për verifikimin e çështjes.

Burimet bëjnë me dije se përmes shortit është përcaktuar prokurori Elvin Gogaj, i cili do të marrë në shqyrtim kallëzimin dhe do të ndjekë procedurat e mëtejshme të hetimit.

Në kuadër të kësaj çështjeje janë angazhuar gjithashtu katër oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të asistojnë në mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave që lidhen me kallëzimin penal.

Në fokusin fillestar të SPAK-ut është mënyra se si institucionet financiare kanë arsyetuar vendimin për të mos ekzekutuar pagat.

SPAK kërkon bazën ligjore për bllokimin e pagave

Duke nisur nga sot, hetuesit pritet t’u drejtohen Ministrisë së Financave dhe strukturave të Thesarit për të kërkuar dokumentacionin dhe shpjegimet përkatëse mbi bazën ligjore të përdorur për bllokimin e pagesave.

Në veçanti, SPAK do të kërkojë të përcaktojë se mbi cilat dispozita ligjore është mbështetur vendimmarrja për të mos kaluar pagat dhe nëse procedura e ndjekur nga institucionet përgjegjëse ka qenë në përputhje me kompetencat e tyre.

Kallëzimi penal lidhet me konfliktin e krijuar për ekzekutimin e pagave, çështje që tashmë ka prodhuar edhe një përplasje institucionale mes strukturave të sistemit gjyqësor dhe institucioneve financiare.

Hetimi i SPAK-ut pritet të verifikojë veprimet konkrete të personave të kallëzuar, dokumentet mbi të cilat është marrë vendimi dhe përgjegjësitë eventuale individuale që mund të dalin gjatë procesit të verifikimit.

Për momentin, caktimi i prokurorit dhe përfshirja e oficerëve të BKH-së përbëjnë hapat e parë proceduralë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të mblidhen dokumentet dhe dëshmitë që do të ndihmojnë në sqarimin e plotë të çështjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.