Gruaja grabit 40 mijë paundë nga dollapi i marketit në Tiranë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga Maglevina Xhakollari, e akuzuar për vjedhjen e një shume prej 40 mijë paundësh të lëna përkohësisht në një market nga një klient.
Sipas hetimeve, ngjarja është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë, ku shihet momenti kur Xhakollari i afrohet vendit ku ruhen çantat e klientëve dhe merr shumën e parave.
Dyshohet se ajo e kishte planifikuar më herët vjedhjen. Disa ditë para ngjarjes, gruaja kishte arritur të marrë çelësin e një prej kasetave ku depozitohen sendet personale. Më pas, punonjësit e marketit konstatuan mungesën e çelësit dhe e zëvendësuan atë me një kopje të re, pa e ditur se çelësi i vjetër ishte vjedhur.
Në ditën e vjedhjes, klienti, i cili punonte si kambist, kishte vendosur paratë në kasetë duke përdorur çelësin e ri, ndërsa autorja ka përdorur çelësin e vjedhur më herët për ta hapur dhe për të marrë çantën me shumën e konsiderueshme.
Gjatë kontrollit, policia arriti të gjejë paratë në ambientet e punës së saj, një rrobaqepësi, ku edhe u sekuestruan si provë materiale.
Ndaj saj pritet të rëndojnë akuzat për vjedhje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



