Helmimi/ Zbulohet se çfarë konsumuan studentët e Akademisë së Sigurisë
Një tjetër rast shqetësues është regjistruar në Akademinë e Sigurisë, ku dhjetëra studentë kanë shfaqur simptoma të forta që dyshohet se lidhen me helmim ushqimor. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikat e vazhdueshme me cilësinë e ushqimit të ofruar në këtë institucion.
Sipas raportimeve nga terreni, rreth 30 studentë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur shenja të tilla si të përziera, probleme gastrointestinale dhe gjendje të rënduar shëndetësore. Ata janë trajtuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet kryesore janë përqendruar te ushqimi i konsumuar në darkë, i cili është furnizuar nga kompania e kateringut Sori-al. Kjo kompani ka qenë edhe më parë në qendër të kritikave, pas një episodi të ngjashëm helmimi që preku studentët e së njëjtës akademi.
Menuja e servirur në darkë për studentët përfshinte disa produkte bazë ushqimore, të cilat tashmë janë nën verifikim nga autoritetet përkatëse për të përcaktuar burimin e mundshëm të kontaminimit.
Menuja e konsumuar nga studentët:
- Pilaf
- Makarona
- Fasule
- Sallam
- Salsiçe
- Kos
- Qumësht
- Bukë
Autoritetet pritet të kryejnë analizat përkatëse laboratorike për të zbuluar shkakun e saktë të helmimit, ndërsa rasti ka ngritur sërish pikëpyetje mbi standardet e sigurisë ushqimore dhe kontrollin e kompanive që ofrojnë shërbime kateringu në institucionet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



