E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Heshtja zgjedhore, 334 mijë qytetarë nesër drejt kutive të votimit
Lajme

Heshtja zgjedhore, 334 mijë qytetarë nesër drejt kutive të votimit

Të dielën, më 9 nëntor, mbi 334 mijë qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimit në pesë bashki të vendit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë tashmë të gjitha materialet zgjedhore nëpër qendrat e votimit.

Masat e sigurisë

Për mbarëvajtjen e procesit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash.

Në pesë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, policia ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 473 qendra votimi në total.

Rreth 612 efektivë policie do të angazhohen për ruajtjen e rendit, sigurinë e materialeve zgjedhore dhe shoqërimin e kutive pas votimit.
Policia u bën apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast të tentativave për blerje apo tjetërësim vote.

Një fushatë e pazakontë

Kjo garë është cilësuar si fushata më jo tipike e viteve të fundit, pasi mungoi totalisht protagonizmi politik. As kryeministri Edi Rama dhe as ish-kryeministri Sali Berisha nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral.

Kandidatët kanë zhvilluar fushata të qeta, të fokusuara kryesisht në takime me komunitetet lokale dhe prezantimin e projekteve konkrete për qytetin.

Sa qytetarë votojnë në secilën bashki

  • Vlorë: rreth 172,000 votues

  • Berat: mbi 82,000 votues

  • Cërrik: afro 39,000 votues

  • Mat: rreth 29,000 votues

  • Tepelenë: mbi 12,600 votues

Në total, 334,539 qytetarë kanë të drejtë vote.

Kandidatët në garë

Opozita zyrtare nuk ka paraqitur kandidatë nën siglën e Partisë Demokratike, por ka shpallur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur, të cilët do të përballen me kandidatët e Partisë Socialiste dhe disa përfaqësues të partive të vogla.

  • Vlorë:

    • Brunilda Mersini (PS) – ish-deputete, kandidate për kryebashkiake

    • Dionis Sota – kandidat i mbështetur nga PD

    • Gjergj Nika – anëtar i Këshillit Bashkiak, garon si i pavarur

  • Berat:

    • Ervin Ceca (PS)

    • Pavlo Shkarpa – kandidat i pavarur

  • Mat:

    • Altin Bojni (PS)

    • Suzana Pasha – ish-kryetare e Gruas Socialiste në Mat, kandidate e pavarur

    • Eduart Brahilika – i mbështetur nga PD dhe opozita

  • Cërrik:

    • Florenc Doka (PS)

    • Amarildo Hoxha – i pavarur, me mbështetjen e PD

    • Eligert Hima – nën siglën e partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”

  • Tepelenë:

    • Gramoz Sako (PS)

    • Gabriel Guma – kandidat i pavarur, i mbështetur nga opozita

Kryebashkiakët që do të zgjidhen të dielën do të kenë mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zgjedhjet vendore të pranverës 2027.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.