Hiqej si gazetar investigativ dhe mori 8 mijë euro, arrestohet 36-vjeçari
Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi akuzohet se ka mashtruar një qytetar duke u shtirur si pjesë e një emisioni investigativ. Sipas autoriteteve, Glarurtin Kaçi i ka marrë 8 mijë euro shtetasit L. B., të cilin e ka kërcënuar se do të publikonte një video të sajuar, nëse nuk i jepte shumën e kërkuar.
Sipas denoncimit, Kaçi është paraqitur si gazetar dhe ka pretenduar se kishte në dorë një material “komprometues” që do të transmetohej në media. I frikësuar nga kërcënimet, qytetari ka paguar shumën prej 8000 euro, derisa ka vendosur të njoftojë policinë.
Pas marrjes së kallëzimit, oficerët e krimit ekonomik, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 1, kanë organizuar operacionin për kapjen e 36-vjeçarit, i cili është ndaluar dhe po hetohet për mashtrim dhe shantazh.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin G. K., 36 vjeç, pasi denoncuesi L. B. deklaroi se ky shtetas, duke u prezantuar si staf i një emisioni investigativ, i ka marrë shumën prej 8000 euro, për të mos publikuar një video të sajuar prej tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia njofton se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e çdo personi tjetër që mund të jetë i përfshirë në skemën e mashtrimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



