Historike! 3 parti shqiptare bashkohen në një forcë të vetme në Mal të zi
Një zhvillim me peshë për skenën politike shqiptare në Mal të Zi u formalizua këtë të shtunë në Tuz, ku tre subjekte politike shqiptare vendosën të bashkohen në një strukturë të vetme, duke krijuar Forumin Shqiptar.
Demokratski savez Albanaca (DSA), Alternativa Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar zyrtarizuan unifikimin e tyre në një subjekt të përbashkët politik, me synimin për të rritur ndikimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet vendimmarrëse, si dhe për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme për të ardhmen.
Marrëveshja u firmos gjatë një mbledhjeje solemne të organeve drejtuese në Tuz, nga Nik Gjeloshaj, Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj. Deri në organizimin e kuvendit të përgjithshëm të Forumit Shqiptar, drejtimi i kësaj force politike do të mbahet nga Nik Gjeloshaj.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, e cilësoi këtë bashkim si një hap të rëndësishëm për konsolidimin e faktorit politik shqiptar.
Ai theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm mes subjekteve shqiptare ka sjellë rezultate konkrete dhe historike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi, por shtoi se krijimi i një subjekti të vetëm politik është një domosdoshmëri për të përballuar sfidat e së ardhmes dhe për të garantuar unitetin ndër breza.
Sipas Gjeloshajt, Forumi Shqiptar përfaqëson tashmë një strukturë gjithëpërfshirëse, që mbulon të gjitha zonat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, duke u shndërruar në adresën kryesore politike të këtij komuniteti.
Ai përcolli gjithashtu një mesazh më të gjerë për rëndësinë e unitetit politik të shqiptarëve, duke nënvizuar se arritja e objektivave madhore është e pamundur pa bashkëpunim, strategji të përbashkët dhe koordinim të qëndrueshëm.
Bashkimi i tre partive shqiptare konsiderohet si një moment kyç jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe si një model i ri bashkëpunimi politik në hapësirën shqiptare, me synimin për të forcuar përfaqësimin institucional dhe për të krijuar një zë më të unifikuar në proceset politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



