E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Historike! Një tjetër shtet njeh pavarësinë e Kosovës
Bota

Historike! Një tjetër shtet njeh pavarësinë e Kosovës

Bahamas, një shtet në Karaibe, e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e cilësoi vendimin si historik për vendin.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Osmani bëri me dije se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamas është arritur në kryeqytetin Nassau, ku u nënshkrua edhe dokumenti për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Me këtë vendim, Bahamas bëhet shteti i 121-të që e njeh Kosovën, një zhvillim që pritet të shkaktojë reagime në Serbi, e cila vijon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshja u firmos nga presidentja Osmani dhe kryeministri i Bahamas, Philip Davis. Në deklaratën e përbashkët, të dy shtetet shprehën përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë respektimin e sovranitetit, barazinë mes shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Kosova dhe Bahamas u dakordësuan gjithashtu që marrëdhëniet dypalëshe të ndërtohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv. Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi, kultura, teknologjia, inovacioni dhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi vitin 2025 si “vitin e njohjeve të reja”, pas një periudhe të gjatë stagnimi, duke shprehur mirënjohje të veçantë për rolin e presidentes Osmani. Ai theksoi se njohjet e reja po i hapin Kosovës mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar.

Edhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, përshëndeti arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se Kosova po e forcon çdo ditë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe sovranitetin shtetëror përmes punës dhe aleancave të qëndrueshme.

Njohja nga Bahamas është e katërta për Kosovën gjatë këtij viti, pas atyre nga Sudani, Kenia dhe Siria. Këto zhvillime vijnë pas një periudhe me ritëm të ulët njohjesh, ku shteti i fundit që e kishte njohur Kosovën ishte Izraeli në vitin 2021.

Ndërkohë, Serbia vijon të kundërshtojë këto njohje, duke e konsideruar Kosovën ende pjesë të territorit të saj.

Capture

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.