Hita dhe Lamallari në Sarandë: Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë vendosur theksin te siguria e qytetarëve dhe turistëve gjatë sezonit veror, gjatë një vizite të zhvilluar sot në Sarandë.
Në takimin në qytetin bregdetar mori pjesë edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndërsa në fokus ishte mbarëvajtja e sezonit turistik, garantimi i rendit dhe sigurisë, si dhe bashkëpunimi mes institucioneve.
Lamallari theksoi se rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Sarandën dhe bregdetin shqiptar sjell edhe më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit. Ai vlerësoi punën e punonjësve të policisë për garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve, duke nënvizuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj paligjshmërisë.
“Ne kemi tre mesazhe kryesore si Ministri e Punëve të Brendshme. Së pari, siguria e jetës së qytetarëve dhe e turistëve. Sa më shumë ata vijnë e vizitojnë jo vetëm Sarandën, por gjithë bregdetin shqiptar, kjo nënkupton më shumë përgjegjësi për Policinë e Shtetit.
Do të lejojmë zero paligjshmëri, qoftë në kuptim të aktiviteteve kriminale, paligjshmërive të ndryshme, ato që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore. Kurdoherë që kërkohet ndihmë nga qytetarët, reagimi i shpejtë, i menjëhershëm i Policisë së Shtetit është kritik, është i rëndësishëm”, theksoi Lamallari.
Ministri i Brendshëm e lidhi mbarëvajtjen e sezonit turistik me nevojën për një reagim të shpejtë të strukturave të Policisë sa herë që qytetarët apo turistët kanë nevojë për ndihmë. Sipas tij, siguria e jetës dhe parandalimi i paligjshmërisë mbeten ndër përgjegjësitë kryesore të institucioneve gjatë kësaj periudhe.
Në të njëjtën linjë, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e rendit janë çdo ditë në terren për garantimin e sigurisë në Sarandë dhe në zonat turistike.
“Saranda është një qytet që e do rendin dhe sigurinë. Në kuadër të këtyre veprimeve ne jemi çdo ditë në terren. Falenderoj punonjësit e policisë që punojnë me përkushtim dhe ndershmëri gjatë sezonit turistik”, tha Hita.
Hita vlerësoi angazhimin e efektivëve të Policisë së Shtetit në terren, duke e lidhur praninë e tyre të përditshme me nevojën për të garantuar rendin dhe sigurinë në një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të vendit.
Ndërkohë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi shifrat e sezonit veror dhe theksoi se rritja e numrit të vizitorëve shoqërohet edhe me tregues pozitivë sa i takon sigurisë dhe menaxhimit të sezonit.
“Ne jemi në kulmin e sezonit veror, është një sezon që karakterizohet nga shifra shumë pozitive, jo vetëm sa i takon hyrjeve të vizitorëve të huaj por në radhë të parë me shifra që lidhen me sigurinë, mirëmenaxhimin e sezonit. Kjo nuk vjen rastësisht, por vjen si pasojë e një gatishmërie dhe përkushtimi nga Policia e Shteti dhe organet e qeverisjes vendore. Shifrat e tregojnë që jemi në nivelet më të mira të mundshme”, tha Gonxhja.
Vizita në Sarandë vjen në një periudhë kur qyteti dhe zonat përreth përballen me një fluks të lartë turistësh. Autoritetet kanë përsëritur nevojën për bashkëpunim institucional dhe për një angazhim të vazhdueshëm në terren, me synim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe vizitorëve gjatë gjithë sezonit veror.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



