Hita forcon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë
Në kuadër të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi takime me homologë dhe përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese nga disa vende, ku diskutoi për shkëmbimin e informacionit, hetimet e përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit operacional.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të lartë të strukturave policore dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare, në kuadër të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë.
Në takimet me përfaqësuesit e vendeve partnere, në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit policor, shkëmbimi në kohë i informacionit dhe koordinimi i operacioneve të përbashkëta, veçanërisht për përballimin e veprimtarisë kriminale që shtrihet përtej kufijve shtetërorë.
Hita u takua me drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Italisë, Spanjës dhe Finlandës, me Drejtorin e Përgjithshëm në detyrë të Policisë së Sllovenisë, si dhe me Komisioneren e Policisë së Holandës.
Gjithashtu, ai zhvilloi takime me Drejtuesen e Lartë të Byrosë së Sigurisë Diplomatike të SHBA-së, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Suedisë, Izraelit dhe Moldavisë.
Gjatë bisedimeve, kreu i Policisë së Shtetit shprehu gatishmërinë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke vënë theksin te shkëmbimi i shpejtë i informacionit, koordinimi operacional dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta.
Vëmendje e veçantë iu kushtua luftës kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik, terrorizmit dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e agjencive partnere vlerësuan kontributin e Policisë së Shtetit në operacionet e përbashkëta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimin e konsoliduar mes strukturave ligjzbatuese, duke shprehur gatishmërinë për ta thelluar më tej atë.
Deklarata e Skënder Hitës
Në një deklaratë të tij, Drejtuesi Madhor Skënder Hita theksoi se përballë një kriminaliteti gjithnjë e më të organizuar dhe ndërkombëtar, bashkëpunimi mes strukturave policore duhet të jetë i shpejtë dhe pa barriera.
“Jemi përballë një krimi gjithnjë e më të organizuar dhe ndërkombëtar, ndaj edhe përgjigjja jonë duhet të jetë e përbashkët, e shpejtë dhe pa barriera.
Policia e Shtetit shqiptar mbetet maksimalisht e angazhuar për të konsoliduar urat e bashkëpunimit operacional dhe informativ me partnerët, me koordinimin e EUROPOL-it, INTERPOL-it dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, me qëllim përmbushjen e objektivave tona të përbashkëta dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve të vendeve tona.
Ky bashkëpunim duhet të mbështetet në shkëmbimin e shpejtë të informacionit, koordinimin operacional dhe veprimin e përbashkët, për t’iu përgjigjur me efektivitet kërcënimeve kriminale që kapërcejnë kufijtë. Policia e Shtetit do të vijojë të investojë në partneritete të qëndrueshme dhe mekanizma efikasë bashkëpunimi, në funksion të një përgjigjeje të koordinuar dhe sigurisë së qytetarëve”, u shpreh Hita.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



