Hita thirrje policinë: Goditni grupet kriminale, armët dhe drogën
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar takime me strukturat policore në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku ka kërkuar intensifikimin e luftës kundër kriminalitetit dhe forcimin e masave të sigurisë.
Në fokus të takimeve ishte edhe siguria e nxënësve, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Hita kërkoi që plani i masave për garantimin e sigurisë në perimetrin e institucioneve arsimore të monitorohet drejtpërdrejt nga drejtuesit vendorë të Policisë.
Ata duhet të kenë një pasqyrë të plotë të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarqet përkatëse, ndërsa u kërkua shtimi i kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë.
Qëllimi është identifikimi dhe goditja e personave që mund të nxisin nxënësit drejt veprimtarive kriminale.
Lufta kundër grupeve kriminale
Gjatë takimeve, Hita u ka kërkuar strukturave vendore dhe kufitare të fokusohen te goditja e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale.
“Intensifikoni punën për goditjen e grupeve kriminale, për kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë; kapni shtetasit në kërkim dhe luftoni krimet kufitare!”, është porosia e kreut të Policisë së Shtetit.
Një tjetër prioritet i përcaktuar prej tij është lufta kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, përmes hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit të strukturave policore.
Siguria rrugore dhe marrëdhënia me qytetarët
Hita kërkoi gjithashtu përmirësimin e performancës së Policisë dhe ofrimin e një shërbimi më etik ndaj qytetarëve, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë.
Në vëmendje ishte edhe siguria rrugore, ku kreu i Policisë kërkoi përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve.
Në përfundim, Hita e cilësoi besimin e qytetarëve si një element kyç për përmbushjen e detyrave të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, ky besim forcohet përmes angazhimit të strukturave policore për të trajtuar dhe zgjidhur në mënyrë sa më të plotë shqetësimet dhe pretendimet e qytetarëve, të përcjella përmes platformës së bashkëqeverisjes dhe kanaleve zyrtare të Policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



