Hita urdhër të prerë për rendin, sigurinë dhe goditjen e krimit
Porositë për drejtuesit e policisë në qarqe: Zbardhni çdo krim, arrestoni zjarrvënësit dhe godisni drogën
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, ku në fokus ishte analiza e situatës së rendit dhe sigurisë publike, si dhe përcaktimi i prioriteteve për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e tyre në kohë dhe ndjekjen me përgjegjësi të çdo shqetësimi të adresuar nga qytetarët. Ai theksoi se çdo rast duhet trajtuar me profesionalizëm deri në përfundimin e plotë të procedurave hetimore.
Në vijim, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rritjen e efikasitetit të shërbimeve në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe forcimin e parametrave të sigurisë rrugore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua sezonit turistik, ku u kërkua rritje e prezencës së Policisë dhe reagim i menjëhershëm për çdo situatë, në mbështetje të qytetarëve dhe turistëve.
Hita nënvizoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të etikës policore, integritetit dhe rritjes së performancës së çdo efektivi të Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër, ai kërkoi intensifikimin e masave kundër kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba ashtu edhe në terren, si dhe goditjen pa kompromis të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke e cilësuar këtë fenomen një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe të rinjtë.
Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi vijimin me intensitet të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme dhe luftën ndaj krimeve mjedisore, me synimin për të rritur rezultatet në çdo drejtim të veprimtarisë policore.
Në lidhje me situatën e zjarreve në vend, Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, si dhe identifikimin dhe arrestimin e autorëve të çdo rasti zjarrvënieje, duke theksuar se mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit mbetet prioritet kryesor.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që drejtuesit vendorë dhe shefat e komisariateve të jenë në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në terren aty ku ka problematika dhe të ushtrojnë drejtim efektiv të strukturave, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



