‘(Hot)spot albanese’ – Emisioni investigativ i RAI 3 interviston Berishën, ‘beteja e tij e fundit në Kuvend marrëveshja me Italinë’ 09:28, 22/04/2024

Mbrëmjen e së dielës, emisioni investigativ ‘Report’ i RAI 3 ka zbuluar detaje nga kampet e refugjatëve që po ndërtohen në Shqipëri falë marrëveshjes së kryeministres italiane Georgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. 

(“Report”, programi që bëri histori në fushën e gazetarisë investigative në TV. Sigfrido Ranucci dhe ekipi i Report edhe një herë në rreshtin e parë me hetime dhe njohuri mbi politikën, ekonominë dhe shoqërinë.)

PJESA III (VAZHDIM)

Dy qendrat për emigrantet që do ndërtohen me paratë e italianëve në Shqipëri do të jenë pronë e shqiptarëve dhe Italia do t’i përdorë ato vetëm për 5 vitet kur do të shtrihet marrëveshja, por që mund të zgjaten edhe për 5 vite të tjera shtesë.

Ndërkohë gazetari i ‘Report’ e pyet Ramën gjatë Samitit të Shkurtit kur ai po priste miqtë në tapetin e kuq: Kryeministër, nëse pas 5 vitesh ndryshon qeveria dhe nuk do të jetë më kjo mazhorancë, a rrezikon që marrëveshja të prishet meqë zgjat vetëm 5 vite?

Rama: 5 vite do të zgjasë dhe nuk do ta prishë askush. Për ta rinovuar pastaj do mendojnë të tjerët.

Gazetari: Mund edhe të mos e rinovojnë apo jo?

Rama ngre supet: Nuk e di

Opozita në Shqipëri edhe pse me problemet e saj, drejtohet nga Sali Berisha, president pas diktaturës komuniste dhe kryeministër i vendit deri ne 2013. Në 30 dhjetorin e 2023 ai është dënuar me arrest shtëpie e që nga ajo ditë, nga dritarja e shtëpisë ku banon mban çdo ditë protestë poshtë së cilës mblidhen ndjekës, simpatizantë e mbështetës të tij të cilët mes shumë kauzash protestojnë edhe kundër marrëveshje Rama-Meloni.

‘Report’ ka kërkuar të intervistojë Sali Berishën i cili i ka pritur në shtëpi së bashku me dhëndrin i cili edhe ai është në gjendje arresti shtëpie.

‘Jam në arrest shtëpie për arsye totalisht politike’ nis intervistën Berisha për gazetarin e ‘Report’.

Gazetari: Jeni i akuzuar për korrupsion

Berisha: Nuk jam i akuzuar për korrupsion, jam nën hetim. Për arsye politike, për arsye se Edi Rama i frikësohet rikthimit të Sali Berishës ai ka marrë këto masa.

Para se Berisha të arrestohej beteja e tij e fundit në Kuvend me Ramën ka qenë pikërisht marrëveshja Itali – Shqipëri.

‘Kam kundërshtuar këtë marrëveshje për problemin me të drejtat e njeriut.’ Nuk mund të pranoj kurrë që policët shqiptarë dhe policët italianë të jenë gardianët e të drejtave të njeriut. Jo!’ – shprehet Berisha

Gazetari: nëse ju do tëbëheshit kryeministër, ju do ta vinit në diskutim këtë marrëveshje?

Berisha: Qeveria ime nuk do ta pranonte. Për këtë mbase qeveria italiane nuk do të ishte e lumtur, por jo.

‘Report’ sjell në vëmendje se në klasifikimin e ‘Transparency International’, Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar nëEuropë, një primat i trishtë i mbajtur për dhjetë vite. Për të tentuar të rregullojë pak pozicionin e tij Edi Rama, referon ‘Report’, pak vite më parë ai ka emëruar një super këshilltar, për luftën kundër korrupsionit, gjyqtarin italian Francesco Mandoi për 20 vite figura që lidh anti mafien italiane dhe magjistraturën shqiptare të cilin ‘Report’ e interviston.

‘Jam këshilltar në letra, por nuk kam dhënë kurrë ndonjë këshillë’ zbulon ai për gazetarin e ‘Report’

Që nga 2009 Shqipëria kërkon të hyjë në BE dhe për këtëarsye ka iniciuar disa reforma. ‘Po bëjmë të pamundurën për reformën në drejtësi’ deklaron për ‘Report’ ministri i brendshëm Taulant Balla, por është pikërisht reforma në drejtësi që preokupon më shumë ndërkombëtarët nënvizon gazetari i Rai 3. QveriaRama ka zhvilluar një procedure kontrolli per gjyqtarët e prokurorët e quajtur vetting përballë një komisioni të zgjedhur nga parlamenti.

‘Kontrolli nuk realizohet nga këshilli i lartë i ministrive publike, por prokurorët kontrollohen nga policë që janë nën ndikimin politik dhe jo vetëm, por ka një presion shumë të madh mbi gjyqtarët’ shprehet FrancescoMandoi për ‘Report’ që Rama e ka emëruar vetë si këshilltar që nuk e ka pyetur kurrë.

Gazetari i ‘Report’ pyet gjyqtarin italian: Me këtë procedurë, a po bën qeveria Rama një gjueti shtrigash për magjistratët e pavarur?

Mandoi: Sigurisht që po. Ka nisur një gjueti shtrigash kundër gjyqtarit tëbezdisshëm.

‘Report’ sjell në vëmendje se një nga gjyqtarët e bezdisshëm është Besim Hajdarmataji cili nga 2016 deri ne 2018 ka qenë kreu i Prokurorisë të Krimeve të Rënda dhe në 2021 është përjashtuar nga magjistratura pas procedurës së vettingut.

Gazetari i Rai3 e ka intervistuar për emisionin ‘Report’: Çfarë gjetën për ju në Vetting?

Hajdarmataj: Kanë marrë disa fashikuj të disa kohëve më parë dhe më kanë thënë që nuk kam monitoruar mirë punën e disa vartësve të mi. Kanë hetuar edhe mbi të ardhurat e mia, por që nuk ka rezultuar ndonjë gjë me rëndësie megjithatë më kanë hequr nga magjistratura kështu jam detyruar të bëj rekurs në gjykatën e Strasburgut.

Gazetari: A mendoni se kjo ka qenë një hakmarrje për hetimet që keni bërë?

Hajdarmataj: Jam absolutisht i bindur për këtë.

‘Report’ kujton se kur Hajdarmataj ishte ne krye te prokurorisë për krimet e rënda ai ka hetuar mbi disa figura qendrore tëqeverisëRama si ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i akuzuar se ka favorizuar një nga grupet e mafias shqiptare

Hajdarmataj: Ndaj hetimit kishte dalë se Tahiri ishte i përfshirë në trafikun e drogës që shkonte nga Shqipëria drejt Italisë. Kemi mundur të bëjmë hetime të limituara pasi Tahiri kishte lidhje të forta me Policinë.

‘Report’ shpjegon se sinjalizimet e para për rastin në fjalë vijnë nga një ish-polic i anti drogës në Vlorë, Dritan Zagani që ka paguar shtrenjtë integritetin e tij. Sot ai është i detyruar të jetojë me identitet të rremë në Zvicër ku i është dhënë strehim politik.

‘Kishte një grup të narko-trafikut të drogës që pas zgjedhjeve të 2013 u bënë shumë të fuqishëm. Duke hetuar mbi këtë fakt, marr vesh se këta ishin kushërinjtë e ministrit tim, në atë kohë ministri i brendshëm’ shprehet mes të tjerash Zagani në intervistën e gazetarit për ‘Report’.

Emisioni ‘Report’ shpjegon me detaje lidhjen e Tahirit me Habiljat dhe lidhjet e tyre me mafian italiane. Rrëfen historinë e Zaganit më pas atë të Tahirit duke përcjelle foto të tij me personazhe të botës së krimit edhe brenda burgut.

Më pas radhën e kanë Xhafaj dhe Ahmetaj. ‘Report’ shpjegon me detaje lidhjet dhe përfshirjet e tyre me botën e krimit dhe korrupsionin dhe nuk kursen as Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Rama.

‘Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni ‘Report’ i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të OlsiRamës gjatë disa kontrolleve të policisë.

Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore” – nënvizon ‘Report duke publikuar edhe faksimilie të lëvizjeve të Olsi Ramës dhe anëtarëve të bandës së Xibrakës.

‘Pavarësisht rasteve të veçanta, në dekadën e fundit që i përket kohës së qeverisjes Rama, mafia shqiptare ka bërë një rritje epokale në cilësi’ thuhet ne ‘Report’

Në emisionin e Rai 3 intervistohet edhe Nicola Gratteri prokuror i Napolit i cili shprehet se: ‘Mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga shtet ku ka një korrupsion të përhapur. Kështu organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë menjëherë të pasura, të forta dhe të pushtetshme.

Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me Ndrangheta. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë që edhe në mënyrë të pavarur të sjellë në Itali dhe në Europë tonelata kokaine’.

Publikuar nga Publik Media