Humbje e madhe për emisionet politike: ‘Hazërxhevapi’ Plarent Ndreca do t’i mungojë ekranit
Naim Noka
Një lajm i trishtë për të gjithë emisionet politike: Plarent Ndreca e shumta mund të jetë dhe këtë javë dhe pastaj ka për të na munguar gjatë në ekranet e TV-ve, mbrojtësi më i flaktë i “kauzës së madhe” të qeverisë.
Pa të, tavolinat e debateve rrezikojnë të kenë një boshllëk të madh – një mungesë që do ta ndiejnë i madh e i vogël gjatë emisioneve politike !
Tani që Ndreca është nën akuzë nga SPAK për tendera “me dashuri dhe përkushtim,” moderatorët do të përballen me dilemën e madhe: kush do të flasë tani me zjarr për tenderat dhe prokurimet pa garë?
Imagjinoni skenën: studio e “opinionit” dhe Fevziu që nuk do të ketë me Plarentin për të shpartalluar këdo opozitar apo gazetar, që përmend korrupsionin e qeverisë Rama.
Deputeti i PS, Plarent Ndreca merret i pandehur nga SPAK, i komunikohet akuza
Gjithmonë hazerxhevap, deputeti Ndreca nuk ja përtonte asnjërit. Merre me mend jo vetëm kolegët deputetë por dhe analistët që shëtisin nga Grida te Blendi apo nga Ylli tek Eni, do të jenë pak më të lehtësuar sepse nuk do kenë me përballë, elekuencën dhe klasin që fshihej pas syzeve të Plarentit.
Vallë kush do ta mbrojë qeverinë tani? Kush do të shpjegojë “hiletë” ligjore si diçka krejt normale? Si do shpjegohet tani që tenderat “Na dalin edhe nga kontrolli” në favor të atyre klientëve besnikë, që kujdesen për qeverinë ashtu siç qeveria kujdeset për ta?
Gjithsesi, është e padrejtë që SPAK-u të mbajë Ndrecën për shumë kohë larg ekranit, ndaj moderatorët Fevziu, Duma, Vasili, Rakipi etj, duhet të përgatiten për sfidën e vërtetë: si ta mbajnë gjallë spektaklin e politikës pa “kampionin e garës së prokurimeve Plarent Ndreca”? Meqë Plarenti po përballet me pasojat e “dashurisë për tenderat,” ndoshta dikush tjetër duhet të dalë sa më shpejt nga radhët e PS -së që të paktën të mos mbetet bosh nëpër emisione vendi që po lë Plarenti.
Kandidatë për SPAK mund të gjejmë me lopatë në institucionet tona por ma besoni ; polemist dhe avokat si deputeti Plarent Ndreca nuk do vijë me as opinionit publik, as socialistëve për shumë kohë.
Le ta qajnë me lot dhe opozitarët këtë largim të beftë dhe kaq para kohe të polemizuesit më të madh që ka parë ky vend, nga sheshi i debatit publik. Dashtë zoti dhe nuk ngelet gjatë vendi bosh që ka për të lënë pas Plarenti në emisionet politike, se audiencën e tyre e mori lumi….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



