Hysni Gurra : Pesticidet “vdesin” tokën, imagjinoni çfarë ndodh me njeriun
Tregu i fruta-perimeve në këtë periudhë është më me ngjyra se kurrë. Forma perfekte të prodhimeve bujqësore, produkte të cilat në pamje të parë duken të shëndetshme, por teksa i shijon zhgënjehesh. Shumë prej jush mund t’i këtë marrë malli për shijen e para shumë viteve të domates, specit, apo të luleshtrydhes…
Po çfarë ka ndodhur dhe sa të sigurtë jemi nga ato çka konsumojmë?
Në disa rrugica të Tiranës, edhe pse të frikësuar nga uniformat e policisë që mund të shfaqen befas, gjen tregtarë të cilët të ofrojnë: sallatën jeshile, spinaqin, gjethet e hardhive, qershinë, majdanozin…
Gjeja e parë që të thonë është se “i kemi bio, nga bahçja jonë!”. E vështirë të kuptosh se ku fillon dhe ku mbaron prodhimi bio, e aq më tepër, e kot t’i hysh debatit me gruan e ardhur nga Farka që më e shumta që kërkon është ta lënë të shesë “mallin” e saj.
Panoramë tjetër shfaqin tregjet e mirëndërtuara!
Hysni Gurra, inxhinier agrar, thotë se pas viteve ‘90, shqiptarët kanë konsumuar ushqime jashtë çdo lloj standardi. Individët që në vitet 1990 kanë qenë 20 vjeç, sot janë dyzetvjeçarë dhe po përjetojnë nivel të lartë sëmundjesh, sidomos tumoret, ndryshe nga vendet e tjera kur këto sëmundje shfaqen mbi të 60-at. Gurra thotë se Shqipëria ka siguri ushqimore vetëm në legjislacion, në praktikë gjendja nuk është aspak pozitive.
Në këtë intervistë,Gurra bënë një panoramë të prodhimeve në Shqipëri, ku na shpjegon më tepër se çfarë po ndodh me fermerët, konsumatorët dhe tregon nëse ekzistojnë prodhimet Bio në vendin tonë.
Hysni Gurra
-Z. Hysni, jemi në kohën kur tregjet e frutave dhe perimeve janë të mbushura plot me ngjyra dhe forma të ndryshme, të cilat në pamje të parë janë joshëse, por a mund ta bëjmë pyetjen, çfarë fshihet pas kësaj “bukurie”?
Pas kësaj bukurie, në kushte normale, duhet të fshihen proteina, karbohidrate, fibra, vitamina… etj. Por, në kushtet e Shqipërisë është e vështirë ta pohosh me bindje këtë gjë. Është vështirë për arsye se mungon ose ka humbur besueshmëria tek dy palë, te prodhuesi dhe tek kontrolluesi i prodhuesit, që në këtë rast janë institucionet përkatëse.
Dhe, për sa kohë vazhdon kjo situatë, ne nuk jemi të sigurt se elementët e mësipërm që duhet të fshihen pas këtyre formave dhe ngjyrave janë në parametrat e duhura dhe të padenatyruara nga elementë të jashtëm apo jo.
-Gjithmonë në vendin tonë flitet për ushqime apo prodhime bio, por kaq shpesh kemi dëgjuar edhe që abuzohet me këtë term, a mund të kemi një analizë më të qartë nga ju, çfarë është bio dhe a prodhon bio vendi ynë?
Ushqimi BIO është një përkufizim i përcaktuar ligjërisht nga BE. Ushqimet që përfshihen në këtë kategori, prodhohen me burime organike të kontrolluara, jo të modifikuara gjenetikisht dhe nuk përdorin pesticide konvencionale, plehra artificiale apo llumra të ujërave të zeza.
Produktet duhet të rriten pa përdorim të pesticideve sintetike, gjeneve bio-inxhinierike, plehrave me bazë nafte etj. Nuk duhen përdorur antibiotikë dhe hormone që stimulojnë rritjen.
A prodhon Shqipëria? Sigurisht prodhon, por jo aq sa flitet në fakt. E para monitorimi i fermave organike nuk është aq strikt sa duhet, kjo për arsye nga më të ndryshmet. Kryesisht nga pamundësia financiare që kanë institucionet private apo shtetërore që merren me këtë punë.
E dyta të prodhosh produkte organike, është me një kosto shumë të lartë për fermerin. Ushqyesit e bimëve kushtojnë, mbrojtja nga sëmundjet është jashtëzakonisht e vështirë të arrihet nga fermeri shqiptar. Kjo, pamundëson ose vështirëson shumë pasjen e këtyre prodhimeve në treg.
Në Shqipëri, me sa kam vrojtuar unë, nuk ka në tregje apo supermarkete vende ku shiten prodhimet organike veç, dhe ato konvencionale veç. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme, sepse minimalisht prodhimet organike (bio) në tregjet e BE janë 4-5 fish më të shtrenjta se produktet jo organike.

-Jemi në një kohë, kur gjithmonë e më shumë flitet për ushqimin dhe problemet që kemi në lidhje me përdorimin e tyre. Ju jeni profesionistë në këtë fushë. Cilat janë problematikat e kësaj epoke me ushqimin?
Afërsisht 10 mijë vjet më parë lindi bujqësia dhe nga ajo kohë deri më sot ka patur faza të ndryshme në lidhje me ushqimin si elementi bazë që nënkuptohet kur flitet për bujqësinë. Njeriu dhe ushqimi janë dy gjëra të pandashme mes tyre. Nuk mund të kuptohen veç e veç. Përgjatë kohërave njeriu ka patur marrëdhënie të ndryshme me ushqimin, periudha kequshqyerje, pamjaftueshmërie e deri në ditët e sotme ku këto fenomene i kemi të pranishme në vende të ndryshme njëkohësisht. Rritja e numrit të popullsisë solli nevojën për konvencionalizimin e bujqësisë, nevojën për prodhim masiv. Dhe sot në jemi në fazën ku në botën e zhvilluar ka kaluar faza e sigurimit të ushqimit, pra ka me tepri tani më, dhe po lind nevoja e cilësisë së ushqimit. Sëmundjet kanë bërë që të kthehen sytë drejt ushqimit sa më organik. Dhe ky është një tjetër fakt që tregon se ka lidhshmëri të lartë midis sëmundjeve për shkak të ushqimit. Në vendet e Afrikës p.sh ka akoma pamjaftueshmëri në ushqim, dhe atje nuk bëhet fjalë për cilësi, kur ka mungesa nuk ka sens të pretendohet për cilësi të lartë.
Shqipëria bën pjesë në vendet ku faza e pamjaftueshmërisë së ushqimit ka kaluar dhe jemi në fazën kur duhet të kthejmë sytë edhe nga cilësia.
-Sa siguri ushqimore kemi sot në vendin tonë. Sa të kontrolluara janë produkte që ne konsumojmë?
Siç e theksova, jemi në fazën ku duhet të kthejmë sytë nga cilësia ose thënë ndryshe siguria ushqimore. Unë mendoj se nuk kemi sigurinë e duhur ushqimore, si për prodhimet vendase ashtu edhe ato të importit. Duhet më shumë punë, më shumë profesionalizëm dhe financime në këtë drejtim. Pasiguria vjen si nga neglizhenca e fermerit, ashtu edhe e institucioneve përkatëse. Kjo duhet të marrë zgjidhje sepse bëhet fjalë për ushqimin, bëhet fjalë për jetët tona. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë institucionet përkatëse dhe prodhuesi, aq më mirë do jetë për të gjithë.
-Por çfarë duhet të bëjmë, si të afrojmë pranë vetes më të mirën?
E mira afrohet rreth vetes duke luftuar të keqen. E keqja luftohet duke u ndërgjegjësuar prodhuesit, duke bërë punën me përgjegjshmëri institucionet shtetërore dhe konsumatori duhet të jetë sa më i ndjeshëm në këtë drejtim. Ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave të shoqërisë na sjell të mirën në tryezat tona.

-Çfarë ndodh në organizmin tonë kur konsumojmë produkte jo bio?
Kur konsumon produkte jo bio, pra, produkte konvencionale në të cilat janë përdorur pesticide dhe kimikate brenda normave të lejuara, nuk ndodh gjë. Nëse doni të nënkuptoni me jo bio, rastet kur nuk janë respektuar normat e kimikateve inxhinierike, atëherë mund të them se kësaj pyetje mund t’i përgjigjen më me kompetencë mjekët. Por, ajo që mund të them unë me siguri dhe përgjegjësi është se përdorimi i tepërt i herbicideve, pesticideve dhe plehrave kimike, vdes tokën, dhe kjo në disa raste shkon deri edhe atë fazë sa vështirë të rikuperohet më. Ju mund ta imagjinoni vetë së ç’mund të ndodhë me organizmin e njeriut në këtë rast.
-A janë sëmundjet e ndryshme kancerogjene rezultat i ushqimit që konsumojmë?
Sipas shumë studimeve të pasponsorizuara shkencore botërore, del se sëmundjet kancerogjene, infetiliteti, obeziteti, çrregullime të ndryshme seksuale janë të lidhura shumë më ushqimet që konsumojmë.
-Ç’do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që ushqimi jo i kontrolluar ndikon shumë në shfaqjen e sëmundjeve të tilla tek njeriu. Fakti që kanceret dhe tumoret po shfaqen më shpesh se gripi e dëshmon këtë.
-Këtë të hënë ishte Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Shumëllojshmërinë Biologjike, e cila këtë vit kishte si moto “Biodiversiteti dhe turizmi” dhe përkon me “Vitin Ndërkombëtar të Turizmit të Qëndrueshëm për Zhvillim”, sa potencial ka Shqipëria në këtë drejtim?
Shqipëria turizmin e ka një nga degët e rëndësishme të ekonomisë së vendit, pas bujqësisë sigurisht. Të dyja këto degë të rëndësishme ekonomike nuk shfrytëzohen sa duhet. Potencialet e Shqipërisë në këtë drejtim janë realisht të konsiderueshme. Por, aktualisht “biodiversitet dhe turizëm” na ka mbetur vetëm në ato vende ku nuk është futur akoma njeriu. Në të gjithë botën luten njerëzit që t’u shtrohet një rrugë dhe të përmirësohet infrastruktura për në male, apo zona me larmishmëri biodiversiteti, në Shqipëri duhet të lutesh që mos shtrohet rruga p.sh se shkojnë presin pyjet dhe vandalizojnë gjithçka. Shqipëria mund t’i bashkohet kësaj dite ndërkombëtare në aspektin e agroturizmit, këtë mendoj unë të paktën, prandaj bëra parashtrimin e mësipërm. Gjithsesi ka mbetur diçka akoma dhe është e rëndësishme që ta zhvillojmë duke e ruajtur.
-A jemi në një vend i përshtatshëm për prodhime të shumta brenda standardeve?
Jemi një vend i përshtatshëm sigurisht. Dhe, këtu e kam fjalën për prodhimet e bujqësisë konvencionale, ato organike sigurisht që do të duhet shumë punë dhe nuk do të jenë asnjëherë masive, kështu është në të gjithë botën e zhvilluar, prodhimet organike janë elitare. Bota sot ka nevojë për konsum masiv dhe nuk mund të realizohet kjo duke prodhuar organike, por në mënyrë konvencionale. Pra, ashtu sikurse në të gjithë vendet e zhvilluara, edhe në Shqipëri, duhet të ekzistojnë të dyja llojet e prodhimeve, konvencionale dhe organike.
-Çfarë i sugjeroni ju fermerëve?
Fermerëve i sugjeroj të jenë më të përgjegjshëm në përdorimin e kimikateve dhe pesticideve, të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e tyre mos tejkalojnë kurrsesi normat. Të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e karences sipas udhëzimeve përkatëse, është shumë e rëndësishme kjo. Nëse përdor pesticid apo kimikat sot nuk duhet kurrë ta vjelësh prodhimin dhe ta nxjerrësh në treg nesër. Kjo është vrastare! Gjithashtu do të shtoja të mos përdorin hormone, t’i mbajnë sa më larg fermave te tyre. Unë e di që ata janë shumë të varfër dhe këtë e bëjnë për të krijuar të ardhura për të mbajtur familjet, por kjo nuk është rruga e duhur. Unë do t’u sugjeroja të jenë më “agresivë” në drejtim të qeverive të çdo kahu qofshin, për të kërkuar më shumë investime, më shumë përkrahje më shumë vëmendje, dhe i siguroj se kjo është rruga e duhur dhe e qëndrueshme për ta edhe ne konsolidimin e të ardhurave të tyre afatgjata.
-Po konsumatorëve?
Denonconi! Zëri i një media mund të shuhet me një reklamë apo presion të çfarëdolloj, por zëri i shumë konsumatorëve nuk mund të heshtë. Sidomos në kohën e tanishme të rrjeteve sociale. Kushtojini rëndësi asaj që hani, shoqëri konsumi nuk nënkupton të hash çfarë të të dalë përpara. Numri i konsumatorëve shqiptarë që denoncojnë është shumë i ulët. Tjetra që mund të bëjnë konsumatorët është të shmangin blerjen në vende jo të përshtatshme dhe vende që janë larg çdo vëmendjeje të institucioneve që kontrollojnë. Kjo e fundit aq sa mund të jetë, por sërish nuk duhet neglizhuar dhe anashkaluar gjithsesi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





