I dënuar me 11 vite burg në Itali, kapet shqiptari me dy identitete
Në kuadër të aksioneve të pandërprera për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, strukturat operacionale të FAST Albania, pjesë e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe të koordinuar mes strukturave policore, në qytetin e Lushnjës u arrit lokalizimi dhe kapja e shtetasit Bledar Buxheli, i njohur edhe me emrin Bledar Çelo, 48 vjeç, banues në këtë qytet.
Pas identifikimit, ai u arrestua në mënyrë provizore me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Sipas autoriteteve italiane, Gjykata e Apelit e Venecias e ka dënuar në vitin 2024 me 11 vite burg për veprën penale të trafikut të drogës, në bazë të legjislacionit penal italian.
Nga dënimi total, Buxhelit i mbeten për të kryer edhe 8 vite, 6 muaj dhe 24 ditë burgim, çka pritet të vuhet pas përfundimit të procedurave të ekstradimit.
Operacioni konsiderohet një tjetër goditje ndaj personave të përfshirë në krimin ndërkombëtar dhe një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane në luftën kundër trafikut të narkotikëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



