I skaduar që prej 1 viti, bllokohen 7.6 ton miell në Durrës
Një kontroll i detajuar i ushtruar nga Dega e Doganës Durrës ka zbuluar dhe bllokuar një sasi të madhe produktesh ushqimore të skaduara në ambientet e një subjekti tregtar që operon nën regjimin e përpunimit aktiv.
Gjatë verifikimeve fizike, autoritetet konstatuan se në magazina ndodheshin mijëra kilogramë miell jashtë afatit të përdorimit. Konkretisht, u bllokuan rreth 2.500 kilogramë miell orizi me datë skadence 1 prill 2025 dhe 5.150 kilogramë miell për pica me afat përdorimi deri më 7 prill 2025. Në total, sasia e konstatuar arrin në 7.650 kilogramë produkte që nuk plotësonin më standardet për konsum.
Pas evidentimit të shkeljes, strukturat doganore ndërmorën menjëherë veprimet procedurale në bashkëpunim me Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, me qëllim ndjekjen e hapave ligjorë deri në asgjësimin përfundimtar të mallit të bllokuar. Institucionet përgjegjëse po verifikojnë dokumentacionin dhe rrethanat e ruajtjes së produkteve për të përcaktuar përgjegjësitë.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksoi se kontrollet në terren do të vijojnë me intensitet, ndërsa u bëri thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë rregullat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Autoritetet theksojnë se monitorimi i zinxhirit ushqimor mbetet prioritet, për të parandaluar hedhjen në treg të produkteve të rrezikshme dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



