E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
I vdes nëna, Endrit Dokle i “Bandës së Durrësit” merr leje nga burgu
Publik News

I vdes nëna, Endrit Dokle i “Bandës së Durrësit” merr leje nga burgu

Një fatkeqësi në familje i ka dhënë 4 orë liri Endrit Dokles, të dënuarin e vetëm me burgim të përjetshëm të “Bandës së Durrësit”. Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e Dokles për të marrë pjesë në varrimin e nënës, e cila u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 65-vjeçare. I shoqëruar nga forcat e Drejtorisë së Burgjeve, 34-vjeçari ka dalë nga qelia ku qëndron i vetëm në Burgun e Fushë-Krujës, dje në orën 13:00.

 

Endrit Dokle

 

I përpiktë, duke zbatuar me saktësi orarin e lejes së dhënë, Dokle është kthyer sërish aty në orën 17:00. Endrit Dokle ndodhet në qeli prej më shumë se 13 vitesh dhe pa datë për të dalë prej andej, vetëm me një shpresë të fundit që i ka mbetur në Strasburg, pasi Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e tij për t’i shfuqizuar burgimin e përjetshëm. Burimet që konfirmuan lejen vetëm 4-orëshe të tij ishin mjaft të rezervuara. Madje, Drejtoria e Burgjeve ishte kujdesuar që informacioni të mos bëhej publik, para se Dokle të kthehej në qeli. Kjo për të shmangur çdo incident të mundshëm, por edhe frikën se i dënuari përjetë mund të thyente lejen e të mos kthehej më në qeli.

Megjithatë, Dokle ka respektuar afatet dhe menjëherë pasi i ka dhënë lamtumirën e fundit nënës së tij, i është drejtuar Burgut të Fushë-Krujës, kur regjistrimi i hyrjes së tij është bërë fiks në orën 17:00, ashtu siç ishte përcaktuar në lejen e dhënë.

BANDA E DURRESIT

Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.

Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit.

Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.