I vetmi Shën Valentin
Unëi përkas një brezi që nuk e ka njohur dhe nuk e ka festuar Shën Valentinin dhe kjo festë më është dukur gjithmonë e largët dhe e huaj, pasi mendoj se dashuria nuk ka datë. Mendoj se çdo ditë të jetës ne kryejmë akte dashurie për njerëzit që duam me fjalë, me gjeste, me prani dhe me përkujdesje.
I vetmi Shën Valentin që kam festuar ka qenë Shën Valentini i vitit 2016. Isha diagnostikuar me kancer në gji dhe vetëm një grua që e ka provuar nën lëkurë këtë diagnozë mund ta kuptojë thellësisht gjendjen shpirtërore për të cilën po shkruaj. Çdo grua është e brishtë, por bëhet akoma e më e brishtë përballë një gjiri të munguar, përballë të nesërmes të pasigurt, përballë shikimit të burrit të saj dhe të fëmijëve të saj.
Pas një kalvari të gjatë stërmundimesh në Shqipëri, u vendos që seancat e radioterapisë të kryheshin jashtë shtetit.
Seancat e radioterapisë fillonin me datë 1 shkurt dhe ishin nga e hëna në të premte. Procesi kryhej nga dy mjekë të rinj dhe krejt të sjellshëm. Në kokën time ishte fshirë koha. Jetoja në një gjendje pezulli nga e hëna në të premte dhe ditët më dukeshin njësoj.
Një ditë pas një seance, njëri prej mjekëve më thërret me emër dhe më kërkon ta pres për pesë minuta. E prita dhe ai u kthye me një kuti çokollatash në dorë dhe me dy trëndafila; një të kuq dhe një të bardhë.
Teksa i mbaja në duar e pyes e habitur: Pse kjo dhuratë?! Ai m’u përgjigj- Po ne të duam ty dhe duam që të shërohesh. Happy Valentine’s Day!
Brenda kutisë së çokollatave kishte një mesazh të personalizuar për mua.
U përlota dhe aty kuptova se data shënonte 14 shkurt sikundër pashë dhe preka thelbin dhe domethënien e vërtetë të dashurisë.
Edhe pse kanë kaluar tashmë 6 vite dhe unë jam mire çdo 14 shkurt më rishfaqen sytë e ujshëm të mjekut dhe më kumbon ende në vesh zëri i tij i kadifenjtë që më thotë- Ne të duam dhe duam që të shërohesh.
Shënim- Ky shkrim u bë nisur nga një mesazh që më erdhi sot në mëngjes në messenger nga një zonjë që nuk e njoh. Ajo besonte se mesazhi i saj do të më ngacmonte për një shkrim dhe ashtu ndodhi.
Dashuria është shërimi kurdo dhe kudo.
Elona Caslli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


