Ibrahimaj merakoset për investitorët: Po prishni imazhin e vendit
Ministrja Delina Ibrahimaj ka reaguar për protestën studentore, duke bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe të pronës publike, ndërsa ka paralajmëruar për pasojat që tensionet mund të kenë për ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj e cilëson protestën një të drejtë legjitime, por thekson se përshkallëzimi i situatës dhe dëmtimi i pronës së përbashkët mund të sjellin pasoja përtej përplasjeve të momentit.
“Mos të dëmtojmë sot atë të ardhme më të mirë që kërkojmë për nesër”, shkruan ministrja, duke kërkuar që shqetësimet e të rinjve të marrin përgjigje përmes dialogut dhe jo përmes dhunës.
Sipas saj, tensionet dhe aktet e dhunshme mund të ndikojnë në besimin e investitorëve dhe të dëmtojnë imazhin e vendit, në një kohë kur Shqipëria synon të tërheqë investime të huaja.
Reagimi i Ibrahimajt vjen në një ditë kur protesta studentore në Tiranë është shoqëruar me përplasje me Policinë dhe dëmtime në disa godina e institucione.
Megjithatë, përtej thirrjeve për qetësi dhe mbrojtjen e pronës, mbetet në qendër edhe kërkesa për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve që i kanë nxjerrë studentët në rrugë. Sfida për institucionet është që thirrja për dialog të shoqërohet me trajtimin konkret të kërkesave të protestuesve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



