Ikballe Berisha shpallet “non grata” në Shqipëri
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur një urdhër zyrtar për shpalljen e Igballe Huduti Berisha si “person i padëshiruar” në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare.
Vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve dhe vlerësimeve të institucioneve ligjzbatuese dhe të sigurisë, të cilat kanë arritur në përfundimin se aktiviteti i saj përbën rrezik për sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend.
Urdhri i firmosur nga ministri i është përcjellë menjëherë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, të cilat do të ndjekin procedurat ligjore për ndalimin e hyrjes së saj në Shqipëri.
Emri i Hudutit është përfshirë më herët në debate publike, për shkak të pretendimeve mbi lidhje me regjimin iranian, si dhe deklaratave të saj që janë konsideruar si nxitëse dhe kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ajo është parë gjithashtu në aktivitete publike në prani të figurave të larta politike nga Irani, përfshirë ish-presidentin Mahmoud Ahmadinejad.

Çështja ka marrë vëmendje të shtuar edhe gjatë ditës së sotme, pas reagimit të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e saj në protestat e zhvilluara në Tiranë. Në reagimin e tij, Rama publikoi imazhe të Hudutit dhe e akuzoi për përhapje propagande ekstremiste, nxitje të urrejtjes dhe thirrje kundër institucioneve të vendit.
Ky zhvillim pritet të sjellë reagime të mëtejshme politike dhe institucionale, ndërsa autoritetet shqiptare kanë theksuar se masa të tilla ndërmerren në funksion të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë kombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



