Ilir Beqaj bëhet “i përkëdheluri” i GJKKO, del nga kafazi prej xhami
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të pranojë kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke i dhënë mundësinë që të mos qëndrojë më në kafazin e xhamit gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.
Sipas vendimit, Beqaj do të ulet pranë avokatit të tij në sallën e gjyqit, një ndryshim që pritet të hyjë në fuqi në seancën e ardhshme. Për këtë, gjykata do të njoftojë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila do të marrë masat përkatëse për zbatimin e vendimit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur debati mbi përdorimin e “kafazit të xhamit” në sallat e gjyqit është intensifikuar ndjeshëm, si në media ashtu edhe në opinionin publik.
Në një seancë të fundit në GJKKO, ndaj ish-presidentit Ilir Meta, pati përplasje të forta lidhur me të njëjtën çështje. Kërkesa për largimin nga kafazi nuk u pranua nga trupi gjykues, duke shkaktuar reagime të forta nga mbrojtja, e cila ngriti shqetësime për cenim të të drejtave dhe mungesë të barazisë në proces.
E njëjta situatë u reflektua edhe gjatë procesit ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ku kërkesa për të qëndruar jashtë kafazit u rrëzua. Avokati i tij, Plarent Ndreca, reagoi publikisht duke kërkuar standarde të njëjta në trajtimin e të pandehurve.
Ndërkohë, debati është ushqyer edhe nga qëndrimi i Komitetit të Helsinkit, i cili pak ditë më parë e ka cilësuar praktikën e mbajtjes së të pandehurve në “kafaz” si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Sipas këtij institucioni, përdorimi i strukturave të tilla në sallat e gjyqit cenon parimin e barazisë dhe krijon perceptim paragjykues ndaj të pandehurve, duke ndikuar në drejtësinë e procesit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



