E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Impianti fantazëm ‘gllabëron’ 200 mijë € për ujërat e zeza të Tiranës
Investigim

Impianti fantazëm ‘gllabëron’ 200 mijë € për ujërat e zeza të Tiranës

Kushdo që lëviz drejt zonës së Kombinatit në Tiranë, nuk mund të mos vërejë disa struktura betoni të shpërndara përgjatë rrugës, të mbetura aty prej vitesh pa asnjë funksion. Bëhet fjalë për pjesë të një projekti të madh infrastrukturor, i cili duhej të zgjidhte një nga problemet më serioze të kryeqytetit: trajtimin e ujërave të zeza.

Ky projekt, me një kosto që ka kaluar 100 milionë euro, synonte ndërtimin e një rrjeti dhe impianti që do të ndalte derdhjen e ujërave të ndotura në lumin Lanë, më pas në lumin e Tiranës dhe Ishmit, përpara se të përfundonin në Detin Adriatik. Sipas planit fillestar, të gjitha këto ujëra do të trajtoheshin në një impiant të posaçëm në Mëzes.

Nevoja për një investim të tillë është evidente, sidomos në një qytet që po përjeton një bum ndërtimesh me kulla dhe pallate të reja çdo muaj. Aktualisht, mungesa e trajtimit të ujërave të zeza përbën një rrezik real për shëndetin publik, pasi ato vijojnë të qarkullojnë të patrajtuara në zemër të qytetit.

Megjithatë, si shumë projekte të tjera publike, edhe ky impiant ka mbetur i papërfunduar. Kompania që ka realizuar punimet pretendon se nuk është likuiduar sipas kontratës, ndërsa nga ana tjetër institucionet shtetërore justifikohen me kufizimet buxhetore.

Ndërkohë, pavarësisht ndërprerjes së punimeve, përgjegjësia për një investim të tillë mbetet e paqartë. Pyetja që shtrohet është nëse kemi të bëjmë me dështim institucional apo me një konflikt kontraktual me kompaninë private që mori përsipër realizimin e projektit.

Fakti është se situata në terren mbetet e pandryshuar: ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në Lanë, duke kaluar nëpër qytet me erë të rëndë dhe duke përfunduar më pas në Adriatik, ndërkohë që impianti në Mëzes është kthyer në një kantier të braktisur.

Tenderë për mirëmbajtjen e një kantieri të papërfunduar

Projekti, i njohur si “Tirana e Madhe”, kishte si objektiv trajtimin e mbi 90% të ujërave të ndotura urbane të kryeqytetit. Institucioni përgjegjës për administrimin e tij është Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), një strukturë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas dokumenteve zyrtare, kjo agjenci vijon të hapë çdo vit tenderë për mirëmbajtjen e kantierit, edhe pse projekti nuk ka përfunduar dhe nuk ka hyrë asnjëherë në funksion. Së fundmi, është hapur një tjetër procedurë prokurimi me objekt “mirëmbajtje e kantierit të Tiranës së Madhe”, me një fond limit prej 19.198.300 lekësh, rreth 200 mijë euro.

Impianti fantazmë që vijon të “hajë” para

Tenderi i hapur nga AKUK për mirëmbajtjen e kantierit të Tiranës së Madhe

Në përshkrimin e tenderit përfshihen shërbime mirëmbajtjeje, riparimi dhe ndërhyrje të ndryshme teknike për infrastrukturën ekzistuese. Këto procedura përsëriten çdo vit, duke rritur koston totale të një projekti që ende nuk u ka shërbyer qytetarëve.

Ndërkohë, në terren shihen vetëm mbetje ndërtimore dhe struktura të papërfunduara, ndërsa tubacionet nëntokësore, që sipas projektit duhet të kalonin nga zona e “Pallatit me Shigjeta” drejt rrugës së Kavajës, për në Kombinat dhe më tej në Mëzes, nuk kanë përfunduar kurrë.

Projekt i nisur prej 12 vitesh, ende pa përfundim

Punimet për këtë impiant nisën rreth 12 vite më parë me një vlerë fillestare prej afro 70 milionë eurosh. Deri më sot, kostoja totale ka kaluar 100 milionë euro, ndërkohë që projekti mbetet i bllokuar.

Realizimi i punimeve iu besua një bashkimi kompanish “Joint Venture Dondi & Kubota”, dy emra të njohur ndërkombëtarisht në fushën e ndërtimit të impianteve dhe teknologjisë së tubacioneve.

Kontrata parashikonte përfundimin e impiantit brenda katër viteve, por që nga viti 2018 nuk është kryer asnjë punim në kantier. Mosmarrëveshjet mes palëve kanë përfunduar edhe në gjykata ndërkombëtare arbitrazhi, ku pala shqiptare ka pësuar humbje, duke rritur më tej faturën financiare të projektit.

Pavarësisht kësaj, tenderët për mirëmbajtje vijojnë, ndërsa zgjidhja përfundimtare për këtë investim strategjik mbetet ende e paqartë. Në fund, kostoja reale bie mbi qytetarët, të cilët vazhdojnë të paguajnë për një projekt që nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.