PD kërkon anulimin e koncesionit Milot–Balldren
Akuza të forta për lidhje me dosjen “Aruba” dhe pastrim parash
Këlliçi: Pjesë e konsorciumit, kompani në hetim nga SPAK
Partia Demokratike ka dalë me një qëndrim të prerë lidhur me koncesionin e aksit Milot–Balldren, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të kontratës 35-vjeçare. Nënkryetari i saj, Belind Këlliçi, ngriti një sërë akuzash ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke pretenduar përfshirje të elementëve nën hetim në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Sipas deklarimeve të tij, kontrata me një kosto fillestare prej 365 milionë eurosh – që, sipas opozitës, mund të rritet ndjeshëm gjatë zbatimit – i është dhënë një konsorciumi ku kryeson një kompani e njohur në tregun e ndërtimit, ndërsa pjesë e tij është edhe shoqëria “Erald-G”, në pronësi të Gëzim Ismailit.
Këlliçi pretendon se Ismaili rezulton në një hetim të Prokurorisë së Posaçme në kuadër të dosjes së njohur si “Aruba”, ku dyshohet për aktivitete të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Sipas tij, lidhjet familjare me persona të përfshirë në këtë grup dhe roli i kompanisë në investime ndërtimore ngrejnë dyshime për përdorimin e saj si kanal për formalizimin e fondeve me origjinë të paligjshme.
Ai solli në vëmendje edhe një vendimmarrje të Gjykatës së Posaçme në qershor 2026, ku u caktuan masa sigurimi për disa persona të dyshuar në këtë çështje, duke pretenduar se mes tyre përfshihet edhe pronari i kompanisë në fjalë. Sipas opozitës, pavarësisht këtyre zhvillimeve, subjekti ka vijuar të përfitojë fonde publike dhe të jetë pjesë e procedurave të rëndësishme tenderuese.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike kërkon jo vetëm anulimin e koncesionit, por edhe vendosjen nën sekuestro të kompanisë dhe një hetim të plotë të të gjitha kontratave publike të përfituara prej saj ndër vite.
Në fund të deklaratës, Këlliçi artikuloi edhe akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij nga detyra dhe krijimin e një qeverie kujdestare, në linjë me protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga qeveria, nga kompania “Erald-G” apo nga SPAK lidhur me pretendimet e ngritura.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Kontrata konçesionare 35 vjeçare për aksin Milot-Balldren, me vlerë 365 milionë euro, kosto fillestare, e theksojmë fillestare, pasi siç kemi parë kaq herë, kostot fryhen gjatë rrugës, dhe me një fitim të garantuar rreth 1 miliardë euro, i është dorëzuar një konsorciumi biznesesh, ku prin kompania e Pëllumb Salillarit dhe ku mes kompanive të tjera bën pjesë dhe kompania ‘Erald-G’, nën pronësinë e Gëzim Ismailit, një prej kumbarëve të qeverisë në takimin famëzi të Arubës.
Ky individ, sipas dosjes hetimore të SPAK, po hetohet si një prej lavatriçeve të pastrimit të parave të një prej klaneve të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në dosjen e SPAK, rezulton se Ismaili është kunati i Luçiano Koçekut, njërit prej eksponentëve të grupit ‘Aruba’, dhe ka shërbyer si fasadë përmes së cilës paratë e krimit janë integruar në projekte ndërtimore, përfshirë legalizimin e miliona eurove.
Faktet flasin vetë. Më 10 qershor 2026, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për 19 persona të të ashtuquajturit ‘Grupi i Aruba-s’, i dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash përmes investimeve në Shqipëri. Mes tyre është edhe Gëzim Ismaili, pronari i ‘Erald-G’, ortaku i të cilit është në arrest shtëpie për ‘pastrim të produkteve të veprës penale’ dhe ‘grup i strukturuar kriminal’.
Por ajo që SPAK vijon të fshehë është fakti se kjo kompani është shpallur fituese në të paktën 217 procedura tenderuese dhe vetëm në 6 vitet e fundit, ka përfituar mbi 6 milionë euro para nga buxheti i shtetit.
Kjo kompani jo vetëm që nuk është vënë nën sekuestro nga SPAK, por gjendet sot në konsorciumin fitues të tenderit më të shtrenjtë në historinë e infrastrukturës rrugore shqiptare, procedurë që ka nisur që në gusht 2025, nën drejtimin e Belinda Ballukut, tashmë e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion.
Pyetja që lind është fare e thjeshtë.
Si është e mundur që nën hundën dhe sytë e SPAK, gjatë kohës që këto kompani të lidhura me krimin e organizuar janë nën hetim nga SPAK, përfitojnë kontrata me vlera qindra milionë euro nga fondet publike?!
Partia Demokratike kërkon ANULLIMIN e menjëhershëm të kësaj procedure, pasi paratë e shqiptarëve nuk mund të përdoren për të pastruar paratë e drogës dhe krimit të organizuar, nga Ekuadori deri në Aruba.
I bëjmë thirrje SPAK të vërë nën sekuestro të menjëhershme këtë kompani si dhe të hetojë qindra tendera të përfituar prej saj, që nga dita e ardhjes së ‘Rilindjes’ në pushtet.
Sa për Edi Ramën; koha jote ka mbaruar.
Ti je sot i kapur mat duke nxjerrë paratë që u ke vjedhur qytetarëve më të varfër në Europë jashtë Shqipërie përmes familjarëve të tu, dhe nuk do të vazhdosh të përdorësh paratë e shqiptarëve, për të pastruar paratë e karteleve më famëkeqe në botë.
As drejtësia që ti kontrollon dhe as mediat e paguara prej teje, nuk të dalin dot më për zot.
Fati yt tashmë tashmë është shkruar.
Ti, së bashku me ortakët e tu të krimit të organizuar duhet të largoheni dhe t’i hapni rrugën një qeverie kujdestare, siç kërkon edhe protesta qytetare, që prej 50 ditësh ka mbushur Bulevardin kryesor të Tiranës.
Vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës i kthen investimet publike në duart e qytetarëve dhe Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian, me standarde e reforma të vërteta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



