E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Influencerët e asgjësë
Sot

Influencerët e asgjësë

Shpëtim Luku

Më bën përshtypje një person, i cili në publik njihet si “influencer”, teksa në profilin e tij publikon ankesa apo përshtypje negative të njerëzve të ndryshëm. Dikush ka shkuar diku, ka hasur një realitet që nuk i ka pëlqyer, është mërzitur, nervozuar apo zhgënjyer dhe, në vend që ta zgjidhë problemin me atë që ia ka shkaktuar, ia beson “influencerit” si një lloj shkarkimi emocional.
Dhe ky i fundit e publikon.
Po për çfarë? Më duket situatë e pakuptimtë. Ndaj ia bëra këtë pyetje një kolegu tim, një prej gazetarëve më të suksesshëm shqiptarë. Përgjigjja e tij ishte edhe më interesante se pyetja.
“Këta tipa kanë mungesë totale produkti personal. Prandaj sforcohen aq shumë për të qëndruar në treg, që të mos u bjerë aktiviteti në rrjet.”

Pastaj më bëri një pyetje që, në fakt, e zhvendos problemin nga personi te fenomeni:
“Çfarë prodhon ky dhe influencerë të tjerë, me anë të së cilës të influencojnë virtualisht shoqërinë?”
Pyetje është e thjeshtë. Por jo edhe aq e lehtë për t’iu përgjigjur.
Sepse kur e sheh me vëmendje këtë univers, shpesh gjen shumë pak produkt dhe shumë prani.
Foto e video nga qokat e njëri-tjetrit. Shaka të stërpërsëritura, të cilat duhet të na duken humor. Skena të sajuara që duhet të na duken spontane. Komente për jetën e të tjerëve. Ankesa që dikush ua dorëzon për t’i bërë publike. Dhe një ekspozim i pafund i jetës private, i paketuar si përmbajtje.
Në këtë realitet, edhe trupi është kthyer në “produkt”. Femra që kanë hyrë prej kohësh në moshën 40 apo 50-vjeçare vazhdojnë të shesin si risi të përjetshme të njëjtën formulë: silikonin, format trupore, pozat “sexy” dhe një përpjekje të dëshpëruar për t’i bindur të gjithë se mosha nuk ekziston.

Por problemi nuk është as mosha, as trupi. Problemi është mungesa e asaj që ke për të thënë.
Sepse të jesh i dukshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh ndikues. Dhe të kesh mijëra ndjekës nuk do të thotë se ke prodhuar ndonjëherë një ide që ia vlen të ndiqet.
Influencimi i vërtetë kërkon produkt.
Kërkon jë ide, një talent, një qëndrim, një profesion, një krijimtari, një informacion të vlefshëm apo një këndvështrim që nuk e kanë të gjithë.
Ndërsa në shumë raste, ajo që shohim janë njerëz që duhet të prodhojnë çdo ditë diçka, edhe kur nuk kanë asgjë për të thënë.
Dhe këtu lind paradoksi.

Nuk është ndonjë problem i madh se kemi kaq shumë influencerë. Problemi është se kemi një shoqëri që pranon të influencohet nga njerëz që nuk prodhojnë asgjë.
Dikur për të pasur një audiencë duhej të kishe një gazetë, një televizion, një libër, një skenë, një profesion apo të paktën një ide.

Sot mjafton një telefon, një profil dhe një algoritëm.
Dhe, nëse ke fat, edhe një numër i madh njerëzish që të shohin. Por shikueshmëria nuk është vlerë. Dhe ndoshta kjo është pyetja që duhet t’ua bëjmë më shpesh këtyre “influencerëve”:
“Në rregull, na tregove çfarë hëngre, ku shkove, me kë u zure, çfarë të tha dikush dhe çfarë mendon për trupin tënd. Por çfarë prodhove sot që ia vlejti të na influencoje?”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.