E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Intelektualët e Far West-it
Flash

Intelektualët e Far West-it

Klodian Tomorri | Opinion | Publik.al

Sa herë ndodh ndonjë ngjarje e rëndë, vërshojnë idetë gjeniale. E fundit është kjo: t’u jepen armë gjyqtarëve  dhe u gjet zgjidhja e problemit.

Domethënë, kur të shkojë gjyqtari në sallën e gjyqit, do të nxjerrë patllakën mbi tavolinë, e heq nga siguria, ja drejton palës humbëse dhe fillon të lexojë vendimin.

“Në bazë të nenit kaq e aq, gjykata vendosi të shpallë fajtor (mos lëviz se ta futa plumbin), shtetasin X, duke e dënuar me kaq vite.”

Po mirë, pse t’u ndalohet gjyqtarëve kjo punë? T’u japim armë edhe mjekëve, se mund t’u vrasin familjarët e pacientëve. Pastaj t’u japim armë edhe pedagogëve, se pala mund t’i vrasë ndonjë student që ngel. Gazetarëve po, edhe atyre. Por edhe punonjësve të bashkisë që fshijnë rrugët e qytetit, se e kanë punën natën dhe janë të rrezikuar.

Të gjithë me armë. Ta bëjmë “Far West” këtu dhe pastaj fillojmë të luajmë lojën e luftës me njëri-tjetrin. Hajde, hajde.

Pse, kështu zgjidhet kjo? Këta nuk merren me problemin. Dhe problemi këtu është para syve të të gjithëve: shteti është i kalbur në çdo qelizë.

Është aq i kalbur, sa e çon qytetarin me shpatulla pas muri, duke e nxitur të hedhë poshtë jetën e tij dhe të bëjë krim duke marrë jetën e një zyrtari. Aq i kalbur sa nuk i garanton dot sigurinë një zyrtari në detyrë. Dhe aq i papërgjegjshëm sa, kur ndodh hataja, del e shfajësohet: “Nuk është përgjegjësi e imja.”

Problemi është të ndërtojësh një shtet ku armët nuk i duhen askujt dhe janë monopol i shtetit në funksion të ligjit. Sepse varianti tjetër, ku gjithkush mban armë për të mbrojtur veten, e nxjerr qeverinë dhe shtetin të panevojshëm.

Për çfarë duhet qeveria pastaj? Për të vjedhur tenderat?

Tani, si bëhet një vend ku arma është e panevojshme? Me ligj. Vetëm me ligj. Populli mandaton qeverinë dhe institucionet që të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.

Kur ato nuk e bëjnë këtë, atëherë ka vetëm një zgjidhje. Kur ke dhëmb të kalbur në gojë, shkon ta heqësh tek dentisti  nuk kërkon sodën e bukës te komshiu për dhimbjet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.