Ish-deputeti Alban Xhelili emërohet drejtor i Postës Shqiptare në Durrës
Alban Xhelili, ish-deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, është emëruar në drejtimin e filialit të Postës Shqiptare në Durrës.
Xhelili pritet të prezantohet zyrtarisht para stafit të filialit, duke marrë drejtimin e institucionit në një periudhë të ngarkuar me sfida dhe problematika.
Emërimi i tij vjen pas një situate të trazuar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, i cili së fundmi u përfshi në një skandal financiar. Në lidhje me këtë çështje, dy ish-drejtues të filialit dhe të sektorit të financës u ndaluan nën dyshimet për abuzim dhe vjedhje fondesh.
Në këtë kontekst, ardhja e Xhelilit në krye të filialit pritet të shoqërohet me përpjekje për forcimin e kontrollit financiar dhe rikthimin e normalitetit në funksionimin e institucionit.
Filiali i Durrësit mbulon shërbimet postare për një zonë të gjerë, përfshirë Durrësin, Shijakun dhe Krujën. Për këtë arsye, drejtimi i tij konsiderohet me rëndësi për garantimin e vijimësisë së shërbimeve dhe rikthimin e besimit të qytetarëve pas problematikave të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



