E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deklarata e fortë: Te Posta e Durrësit janë vjedhur 2.5 miliardë lekë
Lajme

Deklarata e fortë: Te Posta e Durrësit janë vjedhur 2.5 miliardë lekë

Gjykata e Durrësit ka vendosur që Feta Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Pas seancës gjyqësore, avokati i tij, Ilia Ilia, doli para mediave dhe kundërshtoi akuzat e ngritura ndaj klientit të tij, përfshirë edhe pretendimet e punonjëseve të filialit të Postës se 44-vjeçari u vendoste gjoba.

Sipas avokatit, deklarimet e punonjëseve nuk janë të mjaftueshme për të provuar akuzat. Ai tha se në dosje ka persona që kanë deklaruar se kanë dëgjuar për ngjarjet, ndërsa vetëm një dëshmitare, Trëndelina Oxhaku, sipas tij, ka pretenduar drejtpërdrejt se Feta Mataj i ka kërkuar një shumë parash.

“Deklarimet e administruara, të marra pas 6 muajsh, që pretendohet fakti, nuk provohen as dhuna fizike, ose psiqike. Nuk prodhohet as përvetësimi i pasurisë, që është kushti bazë për të pasur vjedhje. Bëhet fjalë që janë shtrënguar 5-6 individë, të cilët thonë unë kam dëgjuar. Vetëm një dëshmitare Trëndelina Oxhaku, ka pretenduar se i është kërkuar nga Feta Mataj t’i dorëzojë 330 mijë lekë të vjetra”, tha avokati Ilia Ilia.

Por deklaratat e avokatit nuk u ndalën vetëm te mbrojtja e klientit të tij. Ilia ngriti gjithashtu pretendime për përmasat e abuzimit financiar në Postën e Durrësit, duke kundërshtuar shifrën e bërë publike deri më tani.

Sipas tij, dëmi financiar nuk është rreth 690 milionë lekë, por mund të arrijë në rreth 2.5 miliardë lekë. Avokati pretendoi se pas këtyre shifrave fshihen persona që, sipas tij, kanë pasur ndikim mbi financat e institucionit.

“Ky enturazh politik, që ka drejtuar financën e postës është i interesuar që mos të dalë e vërteta. Në momentin që ky enturazh, që ka manipuluar financën e postës së Durrësit u vu në dijeni të faktit, që Elisabeta Mataj u zgjodh drejtoreshë jashtë interesit të grupit filloi luftën kundër saj me një denoncim anonim”, deklaroi ai.

Avokati e cilësoi situatën si një “vjedhje monstruoze” dhe pretendoi se Posta e Durrësit është mbajtur prej vitesh nën kontroll nga një grup personash.

“Kemi të bëjmë me një vjedhje monstruoze. Prej vitesh, ky grup e ka mbajtur peng Postën e Durrësit duke u sjellë si pronar me financat e saj. Deri tani, gropa financiare e vjedhjes së pasurisë publike ka shkuar rreth 2.5 mld lekë nga 690 milionë të pretenduara”, u shpreh Ilia.

Pretendimet e avokatit për shumën prej 2.5 miliardë lekësh dhe për personat që ai akuzon për manipulim të financave mbeten pjesë e deklarimeve të mbrojtjes dhe pritet të vlerësohen në kuadër të hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.