Ish-ortaku ‘flakë për flakë’ me Pacollin për aeroportin: Do ta padis!
Ish-bashkëpunëtori i biznesmenit Behgjet Pacolli, Valon Lluka, ka reaguar pas deklaratave të fundit të Pacollit lidhur me aeroportin e Vlorës, ku ai është përmendur drejtpërdrejt.
Në një deklaratë për mediat, Lluka thekson se ndihet i detyruar të sqarojë opinionin dhe të mbrojë integritetin e tij personal dhe profesional, duke cilësuar akuzat e Pacollit si “tërësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike”.
Ai shton se për çdo veprim që lidhet me transaksionet e aeroportit ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara nga vetë Pacolli dhe kompania “Mabco Construction SA”, me seli në Lugano, pronare ligjore e aksioneve.
Për më tepër, Lluka bën të ditur se ka vendosur të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim imazhi ndaj Pacollit, duke bashkëngjitur të gjitha provat dhe komunikimet përkatëse që, sipas tij, vërtetojnë pastërtinë e veprimeve të tij.
Deklarata e plotë:
Në lidhje me deklaratat e publikuara së fundmi nga z. Behgjet Pacolli lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe përmendjen e emrit tim në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndjej detyrimin të reagoj publikisht për të sqaruar opinionin dhe për të mbrojtur integritetin tim personal dhe profesional.
Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.
Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë dhe çdo hap të procedurave përkatëse, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që për çdo veprim ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara jo vetëm nga vetë z. Behgjet Pacolli, por edhe nga Mabco Construction SA, Lugano, si pronare ligjore e aksioneve.
Të gjitha këto dokumente, së bashku me transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira në këtë transaksion, janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova dhe fakte zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë dhe transparencën e plotë të çdo veprimi tim.
Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat, dokumentet dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht.
Unë mbetem i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve, i bindur se drejtësia do të vërtetojë çdo fakt dhe se opinioni publik do të njoftohet me realitetin e plotë të kësaj çështjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



