E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ish-presidenti Ilir Meta kërkon 134 dëshmitarë në GJKKO
Lajme

Ish-presidenti Ilir Meta kërkon 134 dëshmitarë në GJKKO

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për ish-presidentin Ilir Meta zhvillohet sot në orën 10:00, në kuadër të hetimeve ndaj tij për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në seancën pararendëse, mbrojtja ligjore e Metës, e përfaqësuar nga avokati Kujtim Cakrani, kërkoi kryerjen e një riekspertimi të plotë financiar për të ardhurat e tij që nga viti 1992. Paralelisht, u paraqit edhe një listë e zgjeruar me 134 persona që kërkohet të thirren si dëshmitarë. Në këtë listë përfshihen figura të njohura politike, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, ish-deputetë, ish-bashkëpunëtorë të Metës në Lëvizjen Socialiste për Integrim, si dhe shtetas të huaj të lidhur me çështje të ndjeshme si CEZ-DIA dhe lobimi ndërkombëtar, mes tyre edhe ish-zyrtari Charles McGonigal.

Vendimmarrja përfundimtare mbi pranimin e dëshmitarëve i takon gjykatës, ndërkohë që edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur një listë të sajën me rreth 110 emra që synon të thërrasë gjatë procesit.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me ndryshimin e përfaqësimit ligjor të Metës. Pas seancës së fundit, studioja ligjore e Kujtim Cakranit bëri të ditur ndërprerjen e bashkëpunimit, duke argumentuar se marrëveshja është mbyllur për shkak të mungesës së besimit dhe bashkëpunimit mes palëve.

Në vijim, është bërë publike edhe një letër e shkruar me dorë nga vetë Ilir Meta, ku ai shpjegon se vendimi për ndryshimin e avokatit lidhet me nevojën për një përfaqësim ekskluziv, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe voluminozitetin e çështjes. Deri në këtë fazë, nuk është bërë ende publik emri i avokatit të ri që do të marrë përsipër mbrojtjen e tij në vijim të procesit gjyqësor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.