E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit Gazmir Preçi,  i vuri gjobë 10 mijë euro pronarit të…
Lajme

Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit Gazmir Preçi, i vuri gjobë 10 mijë euro pronarit të…

SPAK çon dosjen në GJKKO

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-shefin e Sektorit të Narkotikëve, Gazmir Preçi dhe ka dërguar dosjen në gjyq duke ngritur ndaj tij akuzën për korrupsion pasiv.

“Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njofton SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar se i pandehur Gazmir Preçi i ka marrë një shumë prej 10.000 euro shtetasit me iniciale B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:

Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.

Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Kush është Gazmir Preçi

Mbrëmjen e 15 Gushtit 2024 u vendos në pranga shefi i Antidrogës së Policisë së Durrësit, i cili mbante gradën e kryekomisarit.

Gazmir Preçi, me urdhër të SPAK, ishte hetuar sipas prokurorisë, edhe 3 vjet më parë pikërisht për lejim të parcelave me kanabis. Aso kohe, Gazmir Preçi ishte me shërbim në Mallakastër, ndërsa më pas u ngrit në detyrë dhe u bë shef i sektorit të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.

Gazmir Preçi dyshohet se kërcënoi me vënie gjobe pronarin e një lokali nate në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës, duke i kërkuar 20 mijë euro, njoftoi në atë kohë AMP.

Ai kërcënoi me mbyllje aktiviteti pronarin e klubit të natës.

HETIMI NË VITIN 2021

4 vjet më parë, Gazmir Preçi, i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimeve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi u vu në hetim për “Shpërdorim detyre” për lejimin e kultivimit të kanabisit.

Sipas dosjes, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në dosjen që u referua atëherë punonjësit e policisë ishin në hetim për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor-shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj tij dhe 2 punonjësve të tjerë të policisë gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”.

E pikërisht dyshimet dhe problematikat në Mallakastër jo shumë vite më parë, nuk ndikuan që Gazmir Preçi të ngjitej në karrierë, duke “u shpërblyer” me post si shef i Antidrogës në Durrës. Hetimet u bënë në bashkëpunim në me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore fill pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night”, një klub nate te Ura e Dajlanit.

Sipas denoncimit të tij, shefi i Antidrogës e kërcënonte se do i mbyllte biznesin me pretendimin se kishte të punësuar disa persona të pasiguruar, çka nuk është në kompetencën e tij për ta kontrolluar. Shuma prej 10 mijë eurosh u mor në një takim nën vëzhgimin e hetuesve mes pronarit të lokalit dhe Gazmir Preçit në një lagje të Tiranës, i cili ra në grackën e kolegëve sapo mori një pjesë të parave. Kryekomisari akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.

Në një reagim ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se operacioni ishte mesazhi është i qartë për policët që hiqen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve. Ata do marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.