E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen 2 persona
Lajme

Ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen 2 persona

Policia e Shtetit ka intensifikuar aksionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, duke shënuar rezultate konkrete në bashkëpunim me partnerët europianë.

Brenda vetëm 24 orëve, janë finalizuar dy operacione të koduara, të cilat kanë çuar në arrestimin e dy shtetasve të kërkuar nga drejtësia italiane për një sërë veprash penale.

Operacionet, të zhvilluara nën emrat “Operacionalja 94” dhe “The Wanted”, u përqendruan në lokalizimin dhe ndalimin e personave të dënuar për veprimtari kriminale që lidhen me trafikun e narkotikëve, krimet kundër personit dhe armëmbajtjen pa leje.

Në kuadër të operacionit “Operacionalja 94”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale arritën të lokalizojnë dhe të vënë në pranga në Kavajë shtetasin Saimir Dakoli, 48 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia me 7 vite e 4 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve, Dakolit i mbeten për të vuajtur edhe mbi 6 vite burgim.

Ndërkohë, në Durrës, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u arrestua shtetasi Elton Stafa, 47 vjeç, i njohur edhe me disa identitete të tjera. Ai u kap në lagjen nr. 1 të qytetit, pas një operacioni të përbashkët mes strukturave hetimore dhe forcave “Shqiponja”.

Stafa ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano me 5 vite e 7 muaj burg për vepra të rënda penale, përfshirë plagosje të rëndë me dashje, mbajtje të sendeve të vjedhura dhe armëmbajtje pa leje.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës vijon, me qëllim përfundimin e procedurave për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Italisë.

Këto operacione konsiderohen si pjesë e strategjisë së vazhdueshme për goditjen e krimit ndërkombëtar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në luftën kundër kriminalitetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.