Ishte fshehur në bagazh, pamjet e arrestimit të Sokrat Vatës
Ky është momenti i arrestimit të Sokrat Vatës, 29-vjeçarit nga Hasi, i dyshuar për vrasjen me thikë të një turisti francez 20-vjeçar në Ksamil.
Vata u lokalizua dhe u arrestua në Levan të Fierit, disa orë pasi ishte larguar nga vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë. Operacioni për kapjen e tij u zhvillua nga Forcat “Shqiponja” dhe strukturat operacionale, të cilat arritën të identifikonin automjetin ku ishte fshehur 29-vjeçari.
Sipas policisë, i dyshuari ishte futur në bagazhin e një automjeti në përpjekje për t’iu shmangur kapjes.
Automjeti drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në të ndodhej edhe një tjetër pasagjer, 38 vjeç, gjithashtu shtetas turk.
Pas ndërhyrjes së forcave të policisë, Sokrat Vata u arrestua, ndërsa dy shtetasit turq që ndodheshin në automjet u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave që çuan në vrasjen e turistit francez në Ksamil.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



