Ishte në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Tiranë 48-vjeçari
Një operacion i koordinuar ndërkombëtar ka çuar në arrestimin në Tiranë të një 48-vjeçari të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, i dënuar me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim.
Aksioni u realizua në kuadër të operacionit të koduar “FAST”, i zhvilluar nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, pas një shkëmbimi intensiv informacioni mes FAST Albania dhe FAST Italy.
Në pranga ra Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u identifikua dhe u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor nga shërbimet e sektorit për kërkimin e personave në kërkim ndërkombëtar.
Sipas burimeve zyrtare, Gjykata e Apelit e Napolit e ka dënuar Nikollin në nëntor të vitit 2021 me 13 vite heqje lirie për veprat penale të “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “skllavërimit/nënshtrimit”, sipas legjislacionit penal italian.
Hetimet e autoriteteve italiane tregojnë se i arrestuari vepronte në bashkëpunim me persona të tjerë, duke shfrytëzuar për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Ai dyshohet gjithashtu se ushtronte presion dhe dhunë ndaj viktimave për të ruajtur kontrollin dhe për të përfituar sa më shumë nga aktiviteti kriminal.
Ndërkohë, Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku pritet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



