Ivanka Trump rrëfen si e zbuloi Ishullin e Sazanit: Nuk është thjesht biznes!
Ishulli i Sazanit u bë pjesë e jetës së Ivanka Trump në mënyrë krejt spontane, gjatë një udhëtimi në ujërat e kristalta të Mesdheut. Në një rrëfim të detajuar në një bisedë të gjatë me David Senra, në episodin “Ivanka Trump në ndërtimin e një jete autentike”, ajo ndau historinë e zbulimit të ishullit, vizionin për zhvillimin e tij dhe filozofinë që po ndjek në këtë investim të madh në Shqipëri.
“I jam rikthyer edhe rrënjëve të mia në fushën e pasurive të paluajtshme, gjë që më ka dhënë shumë kënaqësi. Po punoj me bashkëshortin tim për një projekt të jashtëzakonshëm në Mesdhe. Është një projekt me përmasa gjigante, madje mendoj se edhe kjo është pak ta thuash. Është një ishull privat me sipërfaqe 1400 hektarë në zemër të Mesdheut. Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Në fakt, kështu e zbuluam. Notuam drejt ishullit, u ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Ai vend na ka mbetur në mendje që prej asaj dite” tha Trump.
Ajo thekson se zhvillimi i Sazanit kërkon një qasje të kujdesshme, ku arkitektura duhet të harmonizohet plotësisht me natyrën. Sipas saj, ky projekt nuk është thjesht një investim, por një sfidë personale dhe profesionale.
“Me kalimin e viteve krijuam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij dhe për ta transformuar, por me shumë kujdes dhe përmbajtje, sepse toka është aq e bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht me të, pothuajse të lindë prej saj. Në fakt, për mua nuk është as biznes, pavarësisht përmasës së projektit. Përveç ishullit, kemi edhe rreth pesë milje vijë bregdetare përballë tij, një gadishull të mrekullueshëm me lagunë në njërën anë dhe det në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë. Për mua kjo ndihet më shumë si një sfidë se sa si një biznes. Është kulmi i gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, i gjithë udhëtimeve të mia dhe i reflektimeve të shumta mbi mënyrën se si dua të jetoj dhe si mendoj se gjithnjë e më shumë njerëz duan të jetojnë” tha ajo.
Në këtë projekt, vizioni dhe imagjinata janë elementë kyç. Ivanka Trump thekson rëndësinë e bashkëpunimit me arkitektë dhe artistë të nivelit më të lartë për të krijuar një hapësirë unike, funksionale dhe estetike.
“Po përpiqemi të ndërtojmë diçka që e pasqyron konkretisht këtë vizion. Kjo kërkon shumë imagjinatë dhe bashkëpunimin e disa prej mjeshtërve më të mëdhenj që ekzistojnë sot. Sapo isha atje duke ecur nëpër terren, duke u përpjekur ta përjetoja vendin së bashku me disa prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës sonë, mjeshtër të vërtetë të profesionit të tyre, njerëz me integritet. Njerëz që nuk bëjnë kompromis me vizionin e tyre dhe pikërisht këtë duam të krijojmë edhe atje. Jemi shumë të emocionuar për këtë projekt. Kur punon me artistë të vërtetë, pavarësisht nëse mediumi i tyre është piktura, muzika apo pasuritë e paluajtshme, ata nuk bëjnë kompromis. Integriteti i tyre është i saktë dhe absolut. Ata sfidojnë veten dhe sfidojnë edhe të gjithë njerëzit përreth tyre. Kur punon me një arkitekt, ekziston gjithmonë një ekuilibër. Në fund të fundit, ata nuk po ndërtojnë thjesht një monument. Po krijojnë një hapësirë me të cilën njerëzit duhet të ndërveprojnë. Ata duhet të jetojnë aty, të martohen aty, dhe nëse është hotel, ai bëhet shtëpia e tyre për një periudhë kohe. Nuk ka asgjë më të shëmtuar sesa një hapësirë e bukur, por jo funksionale. Për mua, ajo nuk është një kryevepër, sepse nuk është menduar deri në fund. Kur arrin të bashkosh një arkitekturë me kuptim, të bukur dhe të menduar mirë me një hapësirë shumë funksionale, atëherë krijon diçka të veçantë. Një nga gjërat që dua tek pasuritë e paluajtshme është se janë diçka konkrete në një botë ku gjithnjë e më shumë gjëra nuk janë të tilla. Ti sheh rezultatin e viteve të tëra pune. Për të sjellë në jetë një projekt të tillë duhen vite, ndonjëherë edhe më shumë se një dekadë” tha Trump.
Gjatë intervistës, ajo zbuloi edhe një aspekt më të thellë të përfshirjes së saj në Shqipëri: përpjekjen për të kuptuar vendin përmes letërsisë dhe kulturës.
“Po lexoj shkrimtarët më të mirë shqiptarë dhe po përpiqem ta kuptoj vendin përmes syve të tyre. Letërsi artistike, libra jo-fiction, gjithçka. Zhytesh në përvojën dhe realitetin e jetuar që këta vëzhgues të mëdhenj të së vërtetës arrijnë të përcjellin dhe kështu afrohesh më shumë me vendin. Nuk mund të imponohesh mbi një vend apo një kulturë. Duhet fillimisht ta kuptosh atë, në mënyrë që të bësh diçka në një mënyrë të bukur, delikate dhe me kuptim. Kjo është qasja që kam ndaj gjithçkaje. Dëgjoj shumë njerëz dhe përpiqem të rrethohem me njerëz që ndihmojnë rritjen dhe zhvillimin” tha Trump.
Projekti i familjes Kushner në Shqipëri përfshin ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit dhe një kompleks të dytë turistik në zonën e Zvërnecit. Investimi po zhvillohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, ndërsa raportimet ndërkombëtare e lidhin projektin me Jared Kushner dhe investitorë nga Katari.
Ky projekt u zyrtarizua në fund të vitit 2024, pasi mori statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare. Ishulli i Sazanit, i njohur për historinë e tij si zonë ushtarake e mbyllur për dekada, konsiderohet një nga asetet më të veçanta dhe më pak të eksploruara të bregdetit shqiptar.
Ndërkohë, planet për zhvillimin e zonës kanë tërhequr vëmendje të gjerë, si për përmasën e investimit, ashtu edhe për debatet që lidhen me ndikimin në mjedis dhe në një nga zonat më të ndjeshme të rivierës shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



